Vuçiç në Paris: Do të bisedojmë hapur me Macronin për çështjen e Kosovës

“Të gjithë duhet të bëjmë gjithçka për të arritur një zgjidhje kompromisi për të dyja palët”, tha presidenti serb, Aleksandar Vuçiç.

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç sot në Paris deklaroi se me presidentin e Francës, Emmanuel Macron do të bisedojnë hapur për çështjen e Kosovës me qëllim të gjetjes së zgjidhjes së kompromisit.

Para Pallatit Elysee, Macron solemnisht priti presidentin serb dhe më pas të dy presidentët iu drejtuan mediave.

“Të gjithë duhet të bëjmë gjithçka për të arritur një zgjidhje kompromisi për të dyja palët. Kjo nuk ka qenë kështu deri tani dhe gjithmonë kam qenë i gatshëm të dëgjoj presidentin Macron dhe idetë e tij inovative, për t’iu afruar një marrëveshjeje. Do t’ia prezantoj, sinqerisht dhe hapur platformën tonë dhe jam i sigurt se me udhëheqjen e tij do të arrijmë diçka në periudhën e ardhshme”, tha Vuçiç.

Siç theksoi ai, Franca për Serbinë është një vend i rëndësishëm.

“Franca është një vend i rëndësishëm për ne dhe një mike tradicionale e vërtetë e Serbisë. Me qasjen e përkushtuar të Macronit, shpresojmë të jemi në gjendje të zgjidhim problemet, por edhe të rrisim bashkëpunimin ekonomik dhe shkëmbimin tregtar i cili në vitin 2019 ishte 1.2 miliardë euro”, tha Vuçiç.

Ai po ashtu përmendi projektin e ndërtimit të një metroje në Beograd dhe shfaqi shpresën se nga fundi i vitit do të nisim me punën e linjës së parë të metrosë.

Presidenti i Francës, Emmanuel Macron tha se pandemia e koronavirusit (COVID-19) edhe më tej po mobilizon energjinë e të gjitha vendeve, por krahas kësaj është e domosdoshme të vazhdohet bashkëpunimi me Ballkanin Perëndimor.

“Dua të potencoj vendin që Serbia ka për Francën”, tha Macron.

Ai konfirmoi se do të diskutonte për çështjen e Kosovës me presidentin e Serbisë dhe theksoi edhe një herë mbështetjen e tij për përfaqësuesin special të BE-së, Miroslav Lajçak për ndërmjetësimin e këtij dialogu.

“Shpreh mbështetjen time për të gjithë ata që duan të avancojnë marrëdhëniet midis Serbisë dhe Kosovës. Do të vazhdoj të jem me ju në rrugën e normalizimit të marrëdhënieve dhe në rrugën e sigurimit të paqes dhe stabilitetit në Ballkanin Perëndimor”, tha Macron.

Siç tha, pas zgjedhjeve në Kosovë do të bisedojë edhe me kryetarin e ardhshëm të Qeverisë.

“Kemi pasur bisedime plot besim me presidentin Vuçiç për këtë temë dhe dua të përshëndes rreziqet që ka ndërmarrë disa herë për të ofruar disa zgjidhje që janë inovative. Jam i gatshëm t’i mbështes ato, e vetmja zgjidhje që do të çojë në progres në këtë çështje, ndërsa ajo e vetmja çështje që është thelbësore për vendin dhe popullin tuaj edhe ato janë zgjidhjet për të cilat të dyja palët kanë rënë dakord, që janë njohur dhe që do të na mundësojnë të zgjidhim përfundimisht këtë çështje të rëndësishme që është në palcën e Evropës sonë”, tha Macron.

Kategoritë
LajmeRajoni