Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, paralajmëroi se Aleanca e Atlantikut të Veriut po përballet me “mjedisin më të rrezikshëm dhe më kompleks të sigurisë brenda një brezi”, duke i bërë thirrje Britanisë së Madhe dhe anëtarëve evropianë që t’i forcojnë më tej kapacitetet e tyre ushtarake.
Gjatë vizitës së tij në Britaninë e Madhe, Rutte deklaroi se NATO-s i nevojitet “më shumë Mbretëri e Bashkuar dhe më shumë Evropë” për t’iu përgjigjur pasigurisë gjeopolitike në rritje.
Duke folur në Ditchley Park të Oxfordshire-it, ai theksoi veçanërisht nevojën që Forcat e Armatosura britanike të vazhdojnë të sigurojnë “fuqinë ushtarake që i nevojitet NATO-s”.
Thirrja e tij vjen në një kohë kur vendet anëtare të Aleancës po diskutojnë rritjen e shpenzimeve për mbrojtjen. Në samitin e NATO-s në Hagë më 2025, aleatët ranë dakord të rrisnin investimet në mbrojtje, pas kërkesës së presidentit amerikan Donald Trump që vendet evropiane të merrnin përsipër një pjesë më të madhe të përgjegjësisë për sigurinë e kontinentit.
Sipas planeve, synimi është që deri në vitin 2035 vendet anëtare të ndajnë 3,5 për qind të prodhimit të brendshëm bruto për nevojat bazë të mbrojtjes.
Britania e Madhe aktualisht planifikon t’i rrisë shpenzimet në 2,7 për qind të PBB-së deri në fund të dekadës së ardhshme. Ndërkohë, presionet financiare afatshkurtra kanë çuar tashmë në vendimin që ushtria britanike, deri në fund të vitit, të pezullojë një pjesë të trajnimeve që nuk janë vlerësuar si të domosdoshme.
Rutte tha se për detyrimet britanike ndaj NATO-s kishte biseduar me kryeministrin Andy Burnham gjatë takimit të tyre të parë dypalësh.
Pas takimit, Burnham deklaroi se përkushtimi britanik ndaj NATO-s mbetet i pandryshuar.
“Nuk ka pasur kurrë asnjë ndryshim në përkushtimin e palëkundur të Mbretërisë së Bashkuar ndaj NATO-s dhe detyrimeve tona ndaj Aleancës”, tha Burnham.
Rutte theksoi se shumë vende evropiane, për vite me radhë, e kishin marrë si të mirëqenë se Shtetet e Bashkuara “do të siguronin gjithmonë pjesën më të madhe të fuqisë ushtarake dhe do ta paguanin faturën, pavarësisht gjithçkaje”.
Sipas tij, kjo qasje ndryshoi me rikthimin e Trumpit në Shtëpinë e Bardhë.
“NATO-ja po përballet me mjedisin më të rrezikshëm dhe më kompleks të sigurisë brenda një brezi”, deklaroi Rutte, duke përmendur luftërat në Evropë dhe Lindjen e Mesme, si dhe pasigurinë më të gjerë gjeopolitike.
Si sfidat kryesore të sigurisë, ai përmendi Rusinë dhe luftën e saj kundër Ukrainës, terrorizmin, Iranin dhe “ndryshimet tektonike në rivalitetin global gjeopolitik”.
Rutte paralajmëroi se vendet evropiane duhet t’i rrisin investimet në mbrojtje, pasi në të kundërtën “mbrojtja jonë kolektive do ta humbiste besueshmërinë”.
Ai theksoi veçanërisht rolin e Britanisë së Madhe, e cila, sipas tij, ka “një rol qendror në ndërtimin e një Evrope më të fuqishme brenda një NATO-je më të fuqishme”.
Britania po investon njëkohësisht miliarda në modernizimin e sistemit të saj të parandalimit bërthamor Trident, i cili është pjesë e detyrimeve të saj për mbrojtjen e vendeve anëtare të NATO-s. Vendi po i modernizon gradualisht edhe forcat e tij konvencionale të armatosura.
Megjithatë, shpenzimet e përgjithshme britanike për mbrojtjen, të cilat për një kohë të gjatë ishin të dytat më të larta në NATO, tashmë janë tejkaluar nga ato të Gjermanisë. Sipas planeve aktuale, buxheti ushtarak gjerman deri në vitin 2029 pritet të jetë pothuajse dyfish më i madh se ai britanik.
Rutte deklaroi gjithashtu se Britania e Madhe po udhëheq përgjigjen ndaj fushatës ruse të provokimeve dhe sabotimeve në mbarë Evropën dhe vlerësoi mbështetjen britanike për Ukrainën. Londra ndan rreth tre miliardë paund në vit për ndihmën ushtarake ndaj Ukrainës.
Kanadaja kërkon bashkëpunim më të ngushtë ushtarak me Evropën
Ndërkohë, Kanadaja ka paraqitur zyrtarisht kërkesën për t’iu bashkuar Forcës së Përbashkët Ekspeditare (JEF), një koalicion ushtarak i udhëhequr nga Britania e Madhe.
Qeveria kanadeze njoftoi se synon ta intensifikojë bashkëpunimin ushtarak me partnerët evropianë dhe t’i diversifikojë më tej marrëdhëniet e saj në fushën e mbrojtjes.
JEF-i është një partneritet ushtarak që përfshin dhjetë vende anëtare të NATO-s nga Evropa Veriore: Danimarkën, Estoninë, Finlandën, Islandën, Letoninë, Lituaninë, Holandën, Norvegjinë, Suedinë dhe Britaninë e Madhe.
Ky format është krijuar për reagim të shpejtë në rast të krizave të sigurisë.
Kanadaja tashmë është anëtare e NATO-s, por kërkesa e saj për t’iu bashkuar JEF-it përfaqëson një përpjekje për ta thelluar më tej bashkëpunimin ushtarak me aleatët evropianë, në një kohë kur brenda NATO-s po intensifikohet debati për sigurinë evropiane dhe ndarjen e përgjegjësive ndërmjet Evropës dhe Shteteve të Bashkuara.














