Komandanti i ushtrisë amerikane: Trupat duhet të përgatiten edhe për luftime rreth Hënës

Kryetari i Shefave të Shtabit të Bashkuar të SHBA-së, Dan Caine, deklaroi të mërkurën në Maryland se forcat amerikane duhet të jenë të përgatitura për konflikte të mundshme jo vetëm në orbitën e Tokës, por edhe rreth Hënës.

Në konferencën “Air, Space and Cyber”, pranë Uashingtonit, Caine tha se ushtria amerikane duhet t’i përshtatet frontit të ri të luftës, në mënyrë që të jetë “e gatshme të luftojë, të rezistojë dhe të fitojë – nga fundi i detit deri në hapësirën cislunare”. Ky term i referohet zonës ndërmjet orbitës së lartë të Tokës dhe Hënës.

Deklarata u bë vetëm disa ditë pasi sekretari i Forcave Ajrore, Troy Meink, tha në të njëjtën konferencë se Shtetet e Bashkuara kanë vendosur në orbitë “armë për kontrollin e hapësirës”.

Në të njëjtën kohë, gjenerallejtënant Gregory Gagnon, drejtues i Komandës së Forcave Luftarake në kuadër të Forcës Hapësinore amerikane, deklaroi se kjo degë po përgatitet për operacione në hapësirë dhe rreth Hënës.

“Ndërsa njerëzimi po depërton gjithnjë e më thellë në hapësirë, detyra e Forcës Hapësinore është të na ndihmojë të jemi të përgatitur për t’i mbrojtur interesat e Shteteve të Bashkuara”, tha ai.

Gagnon shtoi se komuniteti i inteligjencës ka paralajmëruar se kundërshtarët e mundshëm po përpiqen ta zgjerojnë luftën edhe në hapësirë. Sipas tij, kundërshtarë si Republika Popullore e Kinës po zhvillojnë në mënyrë aktive veprimtari në sisteme dhe në zona të ndryshme të hapësirës. Kina krijoi vitin e kaluar trupat e saj ushtarake hapësinore.

Pas deklaratës amerikane, Pekini bëri të ditur se kundërshton armatosjen e hapësirës. Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme kineze, Guo Jiakun, tha se Kina mbështet përdorimin paqësor të hapësirës dhe i bëri thirrje Uashingtonit “të ndalojë zgjerimin e përgatitjeve të tij ushtarake në hapësirë”.

Mbetet e paqartë nëse vendosja e armëve në hapësirë ose përdorimi i tyre i mundshëm rreth Hënës do të binte ndesh me marrëveshjet ndërkombëtare. Traktati i Hapësirës i vitit 1967, i nënshkruar si nga SHBA-ja, ashtu edhe nga Kina, përcakton që trupat qiellorë, përfshirë Hënën, të përdoren “ekskluzivisht për qëllime paqësore”. Ai ndalon gjithashtu vendosjen e armëve bërthamore në hapësirë dhe përcakton përgjegjësinë e shteteve për dëmet e shkaktuara nga objektet e tyre hapësinore.

Gagnon bëri të ditur se SHBA-ja planifikon që gjatë pesë vjetëve të ardhshëm ta dyfishojë pothuajse numrin e pjesëtarëve të Forcës Hapësinore, duke e çuar atë në rreth 25 mijë. Afërsisht dy të tretat e kësaj rritjeje pritet t’i përkasin Komandës së Forcave Luftarake.

“Ne i kemi këto kapacitete ushtarake sepse po përgatitemi ta mbrojmë vendin. Qëllimi i tyre është të ndihmojnë në krijimin e fuqisë parandaluese”, deklaroi Gagnon.

Kategoritë
BotaLajme