Organizata e Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ka prezantuar “Platformën e Veprimit të OVL-UÇK-së pas përgjigjësimit të shkallës së parë të Dhomave të Specializuara”
Platforma është prezantuar nga Fatmir Sopi, i cili gjatë paraqitjes ka shpalosur qëllimet, ekipet, kërkesat dhe mjetet përmes të cilave OVL-UÇK synon të veprojë pas vendimit të shkallës së parë të Dhomave të Specializuara.
Sopi ka thënë se qëllimi kryesor i platformës është që reagimi ndaj zhvillimeve në Hagë të shndërrohet në veprim të organizuar dhe të vazhdueshëm.
“Qëllimi i Platformës është që OVL-UÇK ta shndërrojë reagimin pas aktgjykimit në veprim të organizuar, profesional dhe të vazhdueshëm. Prioritetet janë: mbrojtje në Apel, monitorimi i të drejtave të të akuzuarve, ruajtja e debatit demokratik dhe shfuqizimi i Ligjit nr. 05/L-053, kërkimi i përgjegjësisë politike, pjesëmarrja qytetare paqësore, angazhimi ndërkombëtar dhe ruajtja e dokumentuar e historisë së UÇK-së”, tha ai.
Në platformë parashihet edhe një rivlerësim institucional i Dhomave të Specializuara, duke e lidhur atë me procesin që çoi në krijimin e këtij mekanizmi.
“Rivlerësimi institucional i Dhomave duhet të analizojë raportin ndërmjet arsyeve që çuan në krijimin e mekanizmit, përfshirë pretendimet e raportit të Këshillit të Evropës për trajtimin e gjerë të organeve, mandatit më të gjerë që iu dha më pas Dhomave, akuzave të ngritura dhe rezultateve konkrete të proceseve.”
Për zbatimin e platformës, OVL-UÇK parasheh krijimin e Këshillit Koordinues të Veprimit, nën përgjegjësinë e Kryesisë së organizatës.
“Për zbatimin e Platformës duhet të krijohet Këshilli Koordinues i Veprimit nën përgjegjësinë e Kryesisë së OVL-UÇK-së. Ai përcakton prioritetet, koordinon ekipet, miraton dokumentet strategjike dhe raporton për rezultatet.”
Në kuadër të platformës janë paraparë katër ekipe: Ekipi Juridik dhe për Mbrojtjen, Ekipi Institucional dhe për Veprim Qytetar, Ekipi për Marrëdhënie Ndërkombëtare dhe Diasporë, si dhe Ekipi për Dokumentim, Histori dhe Komunikim.
Për ekipin juridik, Sopi ka paraqitur një varg detyrash që lidhen me analizimin e aktgjykimit dhe procesit të Apelit.
“Analizon aktgjykimin, qëndrimet e Apelit, standardin e provës dhe garancitë procedurale. Përgatit Memorandumin Juridik për amendamentimin ose shfuqizimin e Ligjit nr. 05/L-053, përfshirë analizën e nenit 162 të Kushtetutës dhe pasojat e secilës alternative. Në koordinim me ekipet mbrojtëse, kur kërkohet, siguron hulumtim, ekspertizë dhe dokumentacion plotësues.”
Ndërkaq, Ekipi Institucional dhe për Veprim Qytetar do të merret me adresimin e kërkesave tek institucionet e Kosovës dhe organizimin e veprimeve qytetare.
“Përgatit dhe dorëzon kërkesat në Kuvend, Qeveri dhe Presidencë, përcjell përgjigjet dhe organizon peticionin dhe protestat paqësore. Përgatit edhe dosjet e dokumentuara për kërkesat për përgjegjësi politike, me deklaratat, burimet, datat dhe kontekstin për secilin zyrtar.”
Platforma parasheh edhe një angazhim më të madh në planin ndërkombëtar dhe me diasporën.
“Përgatit Dosjen Ndërkombëtare, në anglisht dhe organizon komunikimin me shtetet mike, parlamente, institucione universitare, institute juridike, organizata për të drejtat e njeriut dhe media. Krijon rrjet të koordinatorëve të diasporës dhe mesazh të unifikuar.”
Një prej drejtimeve të platformës është edhe dokumentimi i historisë së UÇK-së.
“Krijon Arkivin e UÇK-së, grumbullon dhe digjitalizon dokumente, fotografi, video, raporte dhe dëshmi të veteranëve. Përgatit materiale profesionale në shqip dhe anglisht dhe kujdeset për komunikimin publik të organizatës.”
Një prej kërkesave kryesore të platformës është amendamentimi ose shfuqizimi i Ligjit nr. 05/L-053 për Dhomat e Specializuara.
“Të kërkohet debat i posaçëm parlamentar dhe shqyrtim juridik i amendamentimit ose shfuqizimit të Ligjit për Dhomat e Specializuara. Kërkesa duhet të mbështetet në Memorandumin Juridik që analizon bazën kushtetuese, dëshmitë relevante dhe pasojat e secilës alternative. Rivlerësimi duhet të trajtojë edhe raportin ndërmjet pretendimeve që ishin pjesë e procesit që çoi në krijimin e mekanizmit, përfshirë raportin e Këshillit të Evropës, trajtimin e gjerë të organeve, mandatit të gjerë që iu dha Dhomave dhe rezultateve konkrete të hetimeve dhe proceseve.”
Platforma parasheh gjithashtu mbështetje të plotë juridike dhe financiare për proceset në Apel.
“Të sigurohet mbështetje efektive për mbrojtjen në Apel sipas kornizës ligjore, për avokatë, ekspertë, hetues, analiza të provave, përkthime dhe ekspertiza të specializuara. Çdo kufizim që pretendon se cenon efektivitetin e mbrojtjes duhet të dokumentohet dhe të trajtohet institucionalisht. Fondi i Solidaritetit duhet të shërbejë si mbështetje plotësuese, me auditim dhe transparencë të plotë.”
Në platformë kërkohet edhe krijimi i një mekanizmi profesional për monitorimin e procesit të Apelit dhe të drejtave procedurale.
“Të krijohet monitorim profesional për standardin e gjykimit të drejtë, barazinë e armëve, trajtimin e provave, arsyetimin e vendimeve, paraburgimin dhe garancitë procedurale. Raportet duhet të publikohen në shqip dhe anglisht dhe të dërgohen institucioneve relevante.”
Një tjetër pikë e platformës lidhet me materialet me origjinë nga Serbia dhe mënyrën se si ato duhet të analizohen.
“Të evidentohen materialet relevante me origjinë nga institucionet serbe dhe të analizohen burimi, autenticiteti, zinxhiri i ruajtjes, konteksti dhe pesha provuese. Çdo kundërshtim duhet të mbështetet në mangësi konkrete dhe të dokumentuara.”
OVL-UÇK përmes kësaj platforme ka paraparë edhe kërkimin e përgjegjësisë politike ndaj zyrtarëve për të cilët, sipas organizatës, ekzistojnë deklarata publike të dokumentuara kundër UÇK-së.
“OVL-UÇK duhet të kërkojë përgjegjësi politike dhe largimin nga Qeveria të ministrave dhe zyrtarëve të cilët ekzistojnë të deklarata publike të dokumentuara se kanë akuzuar UÇK-në, drejtuesit ose pjesëtarët e saj për krime lufte, jasje politike apo veprimtari kriminale, në rastet kur pretendimet nuk mbështeten në vendime gjyqësore që i vërtetojnë. Për secilin rast duhet të përgatitet dosje me deklaratën konkrete, datën, burimin dhe faktet që e vërtetojnë. Kërkesa duhet t’i drejtohet Kryeministrit si çështje e përgjegjësisë politike dhe besimit institucional.”
Platforma parasheh që OVL-UÇK të zgjerojë angazhimin me shtetet mike dhe diasporën, ndërsa paralelisht të ndërtojë mekanizma për ruajtjen dhe studimin e dokumentacionit të luftës.
“Të kërkohet angazhim institucional me shtetet mike për çështjet dhe dokumentimin e të drejtave të diasporës. Paralelisht OVL-UÇK duhet të ndërtojë rrjet të diplomacisë publike dhe diasporës dhe të krijojë Arkivin e UÇK-së, programin e historisë gojore dhe mekanizma profesionale për studim dhe publikim të dokumentimit të luftës”, tha tutje.
Në pjesën për mjetet e veprimit, platforma përcakton mënyrat përmes të cilave synohet të realizohen kërkesat e OVL-UÇK-së.
“Për realizimin e kërkesave duhet të përdoren në mënyrë të koordinuar protesta paqësore, peticion kombëtar, iniciativa juridike dhe parlamentare, kërkesa zyrtare drejtuar institucioneve, monitorimi profesional, financimi transparent i mbrojtjes, lobimi ndërkombëtar, rrjeti i diasporës, komunikimi publik dhe dokumentimi historik”, u shpreh ai.
Në fund të platformës theksohet se secili prej këtyre veprimeve duhet të ketë një bazë të qartë dhe të dokumentuar.
“Protesta duhet të ketë kërkesa të qarta. Iniciativa për Ligjin nr. 05/L-053 duhet të ketë memorandum juridik. Kërkesa për përgjegjësi politike duhet të ketë deklarata dhe burime të dokumentuara. Lobimi duhet të ketë dosje profesionale. Fondi duhet të ketë transparencë dhe auditim. Historia duhet të ketë arkiv”, sqaroi Sopi tutje.














