Të premten protestë gjithëpopullore në Prishtinë kundër vendimit të Gjykatës Speciale

Gazmend Syla nga OVL e UÇK-së bëri të ditur se organizatat e dala nga lufta synojnë të ndërmarrin hapa të tjerë, përfshirë krijimin e një këshilli koordinues kombëtar dhe një platforme që do të përfshinte edhe shqiptarët jashtë Kosovës.

Organizata e Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (OVL e UÇK-së) ka thirrur protestë gjithëpopullore për të premten më 18 shtator, dy ditë pas vendimit më të rëndësishëm në Gjykatën Speciale ku u dënuan katër ish-krerët e UÇK-së, raporton Anadolu.

Në një konferencë për media të enjten, përfaqësuesit e OVL të UÇK-së konsideruan se gjatë ditës së djeshme u dënua lufta e Kosovës për liri.

Gazmend Syla nga OVL e UÇK-së tha se me vendimin e djeshëm u provua të bëhet balancë midis agresorit dhe viktimave në atë çfarë ndodhi në vitin 1998-99.

“UÇK-ja nuk ishte kurrë ndërmarrje kriminale, ishte rezistenca e popullit tonë përballë dëbimit, masakrave dhe e vetmja përgjigje e një kombi që ishte dënuar me zhdukje. Asnjë vendim nuk mund ta rishkruajë luftën tonë çlirimtare apo t’i njollosë ata që luftuan për liri. Që nga fillimi e kemi quajtur këtë gjykatë politike dhe procesin të pa-drejtë, gjë që sipas nesh u dëshmua edhe dje”, deklaroi Syla.

Ai bëri të ditur se organizatat e dala nga lufta synojnë të ndërmarrin hapa të tjerë, përfshirë krijimin e një këshilli koordinues kombëtar dhe një platforme që do të përfshinte edhe shqiptarët jashtë Kosovës.

Syla shtoi se vendimi i fundit nuk është i vetmi rast që ka prekur ish-luftëtarët e UÇK-së.

Më 16 shtator, Hashim Thaçi dhe Jakup Krasniqi u shpallën fajtor dhe u dënuan me nga 25 vjet burgim, ndërkaq Kadri Veseli me 18 vjet burgim dhe Rexhep Selimi me 13 vjet burgim nga Gjykata Speciale.

Ish-udhëheqësit e UÇK-së u dënuan për krime lufte, përfshirë ndalim të paligjshëm ose arbitrar, trajtim mizor, torturë dhe vrasje të paligjshme.

Menjëherë pas këtij vendimi qytetarë të shumtë mbushën sheshet duke protestuar. Po ashtu protesta vijoi edhe pranë zyrave të Misionit EULEX në Prishtinë.

Kategoritë
LajmeLajmet KryesoreVendi