Lëvizja Vetëvendosja para se të vinte në pushtet kishte premtuar ndërtimin e 160 çerdheve gjatë mandatit qeverisës të Albin Kurtit.
Kanë mbetur pothuajse edhe katër muaj deri në përfundimin e mandatit të plotë të Qeverisë Kurti, kur ky premtim do ta merrë vulën e plotë të dështimit.
Megjithatë nga MASHT-i kanë fajësuar Komunat për mos aplikimin e ndonjë kërkese për ndërtimin e çerdheve.
“Ndërtimi i çerdheve nuk mund të bëhet pa një kërkesë nga Komunat. Deri më tani nga komunat kemi pranuar vetëm 25 propozime të lokacioneve. Një pjesë e madhe e tyre kanë probleme pronësore, probleme të terrenit të papërshtatshëm për ndërtim, probleme me madhësinë e sipërfaqeve të parcelave etj”.
Në përgjigjen e MASHT-it thuhet se këtë vit ishin planifikuar të ndërtohen afro 40 çerdhe por vetëm 6 leje kanë pranuar nga komunat.
“Përkundër që janë planifikuar afër 40 çerdhe për ndërtim dhe adaptim në këtë vit, nga Komunat deri më sot kemi pranuar vetëm 6 leje për fillimin e procedurave të tenderimit ndërsa kemi edhe disa kërkesa të pakompletuara. Çdo kërkesë e cila ka arritur me dokumentacion të kompletuar nga komunat është proceduar tutje dhe kanë nisur procedurat për ndërtimin e tyre”, thuhet në përgjigje.
Ky premtim i pushtetit aktual i cili nuk është realizuar është kritikuar ashpër edhe nga partitë opozitare, ekspert të arsimit e njohës të Punës dhe Mirëqenies Sociale.
Nga Grupi Multietnik ka folur zv/kryetari i dytë në Komisionin për Arsim, Enis Kervan i cili tha se shpreson që premtimet të realizohen të gjitha.
Tutje, ai nuk ka pranuar të përgjigjet për arsyen e mos ndërtimit të çerdheve të premtuara.
“Në emër të Qeverisë nuk mund të jap përgjigje pyetjet dërgoni tek Qeveria. Shpresoj që të përmbushën të gjitha premtimet”, tha shkurt Kervan.
Ish-ministrja e Arsimit, njëherësh deputete e LDK-së, Hykmete Bajrami, ka thënë se VV ka ardhë në pushtet me premtime por gjatë mandatit ka ndodhur e kundërta.
Ajo ka përmendur disa nga premtimet që ka bërë partia në pushtet.
“VV ka ardhë në pushtet jo vetëm me premtimin për ndërtimin e 160 çerdheve për fëmijë, por me shumë premtime si: ndërtimin e pesë shtëpive për të moshuarit, lirimin e çmimit të energjisë, premtimin që buka, vaji, sheqeri me qeverisjen e tyre do të kushtoj më lirë, kanë premtu sigurime shëndetësore, arsim, drejtësi, punësim, kthim të trurit, ndërtim të rrugëve, urave, tuneleve e magjistraleve, integrime euroatlantike dhe anëtarësim në organizata ndërkombëtare. Krejt çka ka ndodhë këtë tri vjet e gjysmë të mandatit të tyre është e kundërta”, tha ajo.
Bajrami thotë as nuk u ndërtuan çerdhet e premtuara, por përkundrazi arsimi po rrënohet.
Korrupsion e nepotizëm me bollëk ka kjo qeveri, thotë ish-ministrja e Arsimit.
“Çerdhet nuk janë ndërtu, as shtëpitë për të moshuarit, çmimi i rrymës është dyfishu, njëjtë si çmimet e artikujve ushqimor, deri me sot nuk është përfundu asnjë projekt infrastrukturor, as ato që në fillim të mandatit të tyre kanë qenë në gjysmë, ka ikje masive të fuqisë punëtore, është shkelë Kushtetuta plot 10 herë, ndërsa arsimi po rrënohet, nuk ka integrime euroatlantike – që 14 muaj jemi në masa ndëshkuese të BE-së, asnjë njohje, asnjë anëtarësim, ka korrupsion dhe nepotizëm me bollëk”, deklaron ajo.
Ajo thotë se duhet të jap llogari Kurti për gjendjen e krijuar në vend.
Bajrami thotë se faji qëndron tek dembelia e kabinetit qeveritar e shumë faktorë tjerë.
“Se pse është gjendja e tillë është vështirë me i ditë arsyet, disa nga ato janë korrupsioni, mungesë e theksuar e kompetencës dhe dembelia e kabinetit qeveritar dhe partia në pushtet, por motivet dhe arsyet e vërteta duhet t’i japin vetë ata, duhet t’i jap Kurti sepse ai i ka dhënë këto premtime dhe marrë votat bazuar në këto premtime”, u shpreh Bajrami.
Anëtari i Komisionit Parlamentar për Arsim, nga radhët e PDK-së, Ardian Kastrati ka folur për Front Online lidhur me premtimin e VV-së për ndërtimin e disa çerdheve.
Kastrati tha se ‘ata që ja kanë shkruar programin për arsim si çifti i Nagavcit janë mediokër’.
Sipas tij, pushteti aktual nuk janë të aftë për qeverisje.
“Mos realizimi i premtimit nuk është befasi pasi këta nuk kanë as edhe një ekspert të arsimit ndërsa ata që ja kanë shkruar programin për arsim si çifti i Nagavcit janë mediokër. Këta janë totalisht të paaftë në qeverisje e menaxhim’, theksoi Kastrati.
Deputeti Kastrati thotë se Qeveria Kurti nuk mund të ndërtojnë një kotec pule lëre më çerdhe.
“Një pjesë e madhe e tyre punën e parë e kanë deputet e ministër dhe s’kanë menaxhuar kurrë projekte. Kurti punën e parë me pagë e ka pasur pozitën e deputetit, pra si të tillë këta nuk mund të ndërtojnë një kotec pule se lëre më ndonjë çerdhe”, tha ai.
Kryetari i SBASHK-ut, Rrahman Jasharaj ka potencuar se premtimi i Vetëvendosjes për ndërtimin e 160 çerdheve ishte pritur me entuziazëm.
Ai thotë se shumë premtime nuk mbajti kjo Qeveri.
Jasharaj ka treguar se si do të ndikonte ndërtimi i 160 çerdheve në Kosovë.
“Shumë premtime kanë mbetur të pa realizuara nga kjo Qeveri. Është pritur me entuziazëm lajmi për një numër goxha i madh të çerdheve por aspak nuk u realizua. Kjo do të ndihmonte në përfshirjen më të madhe të fëmijëve në këto institucione që do të ishin më të përgatitur për të vazhduar rrugëtimin në shkollë”, u shpreh Jasharaj.
Ish-ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale, Skënder Reçica e ka cilësuar si zhgënjim për qytetarët mos realizimin e premtimit nga Qeveria për ndërtimin e disa çerdheve.
Reçica ka deklaruar se këto premtime janë fjalë boshe për vota.
“Mosrealizimi i këtij premtimi nga Qeveria Kurti është një zhgënjim i madh për të gjithë qytetarët e vendit, veçanërisht për votuesit e kësaj klase politike. Kjo tregon se premtimet e bëra para zgjedhjeve nuk ishin gjë tjetër veçse fjalë boshe për të fituar vota, një mashtrim i hapur ndaj qytetarëve”.
Ai thotë ndërtimi i çerdheve është jetike për mirëqenien e fëmijëve por Qeveria nuk u kujdes për nevojat e qytetarëve.
“Tregues i qartë i moskujdesit të qeverisë ndaj nevojave reale të qytetarëve, duke mos vlerësuar rëndësinë e çerdheve, të cilat janë jetike për mirëqenien e fëmijëve dhe një mbështetje e domosdoshme për prindërit dhe familjet që po përpiqen të ndërtojnë një të ardhme më të mirë”, thotë Reçica.
Reçica theksoi se premtimet kanë mbetur vetëm në letër, e problemet e qytetarëve po neglizhohen.
“Kjo qasje e treguar nga qeveria nuk është asgjë më shumë se një lojë politike, ku premtimet mbeten vetëm në letër, ndërsa problemet reale të njerëzve vazhdojnë të neglizhohen. Kjo tregon një mungesë vizioni dhe përkushtimi ndaj përmirësimit të jetës së qytetarëve dhe ndërtimit të një sistemi të qëndrueshëm social”, përfundoi ai.
Deklarata e Albin Kurti në Kuvendin e Kosova gjatë prezantimit të plotë të programit qeverisës për vitet 2021-2025, në shkurt të vitit 2021.
“Prandaj do të investojmë në shkolla dhe çerdhe publike me kujdes dhe edukim cilësor dhe shujta falas. Përmes investimeve ne 160 çerdhe dhe në adaptimin e hapësirave në institucione shkollore, përfshirja në edukimin e fëmijërisë së hershme rritet nga 7% në 24% për fëmijët e moshës 0-5 vjeç dhe nga 38% në 64% për fëmijët e moshës 3-6 vjeç. Kur kësaj i shtohet rritja e kapaciteteve në sektorin privat, atëherë mund të pritet rritje edhe më e madhe e pjesëmarrjes”, kishte thënë Kurti.