Bashkësia Islame e Kosovës (BIK) ka marrë vendim që të gjitha strukturat dhe institucionet e saj të stolisen sot, më 15 shtator 2026, me flamurin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Sipas vendimit të nënshkruar nga kryetari i BIK-ut, Myftiu Naim Tërnava, flamuri i UÇK-së duhet të vendoset në hapësirat e zakonshme të xhamive dhe mesxhideve, si dhe në minaret e tyre.
Vendimi është marrë në prag të shpalljes së aktgjykimit nga Dhomat e Specializuara në Hagë ndaj ish-krerëve të UÇK-së.
Në dokument thuhet se ky veprim paraqet shenjë të organizuar solidariteti dhe nderimi për luftën e drejtë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. BIK-u shpreh gjithashtu shpresën që ish-krerët e UÇK-së të lirohen nga të gjitha akuzat dhe të shpallen të pafajshëm.
Për zbatimin e vendimit janë ngarkuar të gjitha këshillat e Bashkësisë Islame, drejtuesit e institucioneve arsimore, si dhe imamët dhe punonjësit e xhamive në mbarë Kosovën.
Vendimi ka hyrë në fuqi menjëherë.




















