Sezoni i specave është koha ideale për përgatitjen e ajvarit shtëpiak dhe zahireve të tjera. Specat duhet të piqen mirë, në mënyrë që lëkura të hiqet më lehtë dhe farat të pastrohen pa vështirësi.
Ja një teknikë e thjeshtë që do t’jua lehtësojë qërimin dhe pastrimin e specave.
Piqini specat në skarë ose mbi flakën e gazit, në temperaturë të lartë, duke i rrotulluar shpesh, derisa lëkura e tyre të krijojë flluska dhe të nxihet. Ky proces zgjat rreth 15 minuta, në varësi të fuqisë së zjarrit dhe madhësisë së specave.
Pas pjekjes, lërini specat të avullojnë. Vendosini në një enë ose në një qese plastike që mund të mbyllet. Mbulojeni mirë enën me folie plastike ose mbylleni qesen, në mënyrë që avulli të mbetet brenda.
Lërini të qëndrojnë kështu për të paktën 10 minuta. Më pas hapeni enën ose qesen dhe lërini të ftohen edhe rreth 10 minuta, derisa të mund t’i prekni pa u djegur.
Qërojini dhe pastrojini specat. Me duar ose me një pecetë letre hiqeni me kujdes lëkurën e nxirë dhe më pas largoni bishtat. Kullojeni lëngun që ndodhet brenda specave dhe ndajini përgjysmë. Me pjesën e pasme të thikës hiqni farat e mbetura ose shpëlajini lehtë nën ujë të rrjedhshëm.
Specat mund t’i piqni edhe në furrë. Vendosini në një tepsi dhe piqini, duke i rrotulluar herë pas here, derisa lëkura të nxihet. Pas pjekjes, përsëriteni të njëjtën procedurë: lërini të avullojnë, më pas qërojini dhe pastrojini nga farat.

















