Von der Leyen pas incidenteve të reja: Rusia po teston gatishmërinë dhe vendosmërinë e Evropës

Evropa është përballur përsëri me “sjellje të pamatur dhe të rrezikshme ruse”, deklaroi presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, pas lëshimit të raketave sinjalizuese nga një fregatë ruse drejt një helikopteri danez dhe rrëzimit të një droni mbi Lituani.

Von der Leyen reagoi përmes një postimi në rrjetin social X, të cilin e transmetoi Ukrainska Pravda.

“Një anije luftarake ruse lëshoi raketa sinjalizuese në një distancë rrezikshmërisht të afërt me një helikopter danez, ndërsa një mjet ajror pa pilot hyri në hapësirën ajrore të Lituanisë përpara se të rrëzohej nga avionët luftarakë të NATO-s. Këto nuk janë incidente të izoluara, por pjesë e një modeli më të gjerë të agresionit dhe provokimeve ruse kundër Evropës, përmes të cilave po testohen gatishmëria dhe vendosmëria jonë”, shkroi von der Leyen.

“Vendosmëria jonë vetëm po forcohet”

Presidentja e Komisionit Evropian deklaroi se Rusia do ta shohë se veprime të tilla vetëm sa e forcojnë vendosmërinë e Evropës.

“Së bashku me NATO-n po forcojmë parandalimin dhe mbrojtjen tonë kolektive. Në të njëjtën kohë, po shtojmë presionin ndaj Rusisë”, shtoi ajo.

Dy incidente brenda dy ditësh

Avionët luftarakë të misionit të NATO-s për mbikëqyrjen ajrore rrëzuan sot, për herë të parë, një dron të paidentifikuar mbi Lituani.

Një ditë më parë, Danimarka thirri ambasadorin rus për sqarime, pasi një fregatë ruse lëshoi dy raketa sinjalizuese drejt një helikopteri danez.

Kategoritë
BotaLajme