Dokumentari “NAZA” për luftën në Gazë shkakton reagime të fuqishme në Izrael

Dokumentari izraelit “NAZA”, i cili fitoi Çmimin Special të Jurisë në Festivalin e Filmit në Venecia, ka shkaktuar reagime të ashpra nga zyrtarët izraelitë dhe udhëheqja ushtarake për shkak të pretendimeve që paraqet lidhur me luftën në Gazë.

Filmi, i xhiruar në fshehtësi të plotë për tre vjet në çatitë e Tel Avivit, sjell dëshmitë e 24 personave nga brenda ushtrisë izraelite, mes tyre oficerë të inteligjencës dhe ushtarë.

Ata pretendojnë se Izraeli përdor inteligjencën artificiale për të identifikuar dhe bombarduar objektiva të mundshëm të Hamasit në Gazë, edhe kur dihet paraprakisht se në sulme mund të vritet një numër i madh civilësh.

Ushtria izraelite e ka pranuar se përdor inteligjencën artificiale si ndihmë për përcaktimin e objektivave, por thotë se vendimi përfundimtar para çdo sulmi merret nga njerëzit.

Pavarësisht kësaj, kryeministri Benjamin Netanyahu i akuzoi autorët e filmit për nxitje të urrejtjes dhe antisemitizëm, ndërsa shefi i Shtabit të Përgjithshëm, Eyal Zamir, kërkoi hetim për rrjedhjen e mundshme të informacioneve nga ushtria.

“Po luftojmë kundër nxitjes globale antisemite. Kur ajo vjen nga radhët tona, është thjesht e patolerueshme”, deklaroi Netanyahu të hënën.

Zamir e ashpërsoi më tej reagimin, duke thënë:

“Kjo është një përpjekje e rrezikshme për të na mohuar legjitimitetin që të mbrohemi nga armiqtë tanë më të këqij.”

Ministri i Kulturës, Miki Zohar, kërkoi që regjisorëve izraelitë Yuval Abraham dhe Rachel Szor t’u hiqet shtetësia.

Abrahami, nga ana tjetër, deklaroi se këto sulme tregojnë arsyen përse shumë nga pjesëmarrësit në film dëshironin të mbeteshin anonimë.

“Shumë ushtarë më kanë thënë se prisnin një mundësi për të folur për këtë”, tha ai.

Filmi është bashkëprodhim i gazetës The Guardian dhe Jonathan Glazerit, autorit të filmit “The Zone of Interest”. Ai vjen pas filmit të mëparshëm të dyshes, “No Other Land”, i cili fitoi çmimin Oscar.

“NAZA” ende nuk është i disponueshëm për publikun, por autorët planifikojnë shpërndarjen e tij në Izrael, Evropë dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Kategoritë
BotaLajme