Këshilltari i presidentit rus, Nikolai Patrushev, deklaroi se Polonia mund të pushojë së ekzistuari si shtet “brenda pak ditësh”, nëse ndërmerr operacione ushtarake kundër Rusisë, raportoi gazeta ruse Izvestia.
“Nëse Polonia fillon operacione ushtarake kundër Rusisë, vendi ynë do të përdorë të gjithë arsenalin e forcave dhe mjeteve që ka në dispozicion, ndërsa shtetësia polake do të pushojë së ekzistuari brenda dy ose tre ditësh”, deklaroi Patrushev.
Deklaratat e tij pasuan sulmin e fundit rus me dronë ndaj një linje hekurudhore në Ukrainën perëndimore, pranë kufirit me Poloninë.
Ish-kryeministri britanik Boris Johnson po udhëtonte drejt Polonisë pas një konference sigurie në Kiev. Në të njëjtin itinerar ndodhej edhe ish-kryeministri suedez Carl Bildt.
Bildt deklaroi se treni i tyre nuk ishte goditur, por një tren tjetër që kaloi nëpër të njëjtën linjë hekurudhore disa minuta më vonë. Treni u evakuua pasi një dron rus iu afrua zonës dhe askush nuk u lëndua.
Gjatë javëve të fundit, Rusia ka intensifikuar sulmet ndaj zonave pranë kufirit në Ukrainën perëndimore, duke synuar pengimin e rrugëve logjistike drejt Polonisë. Në njërin prej sulmeve u godit edhe pika kufitare Jahodyn–Dorohusk, një lidhje e rëndësishme ndërmjet Ukrainës dhe Polonisë.
Ndërkohë, po rritet frika për zgjerimin e konfliktit, pas raportimeve për hyrjen e dronëve rusë në hapësirën ajrore të vendeve anëtare të NATO-s.

















