Një ndërprerje e madhe përfshiu të martën disa pjesë të sistemit hekurudhor në Holandë, ndërsa kompania përgjegjëse për mirëmbajtjen e infrastrukturës kombëtare hekurudhore njoftoi se po e trajton shkakun si një sabotim të mundshëm.
“Në disa vende janë gjetur objekte të vendosura qëllimisht mbi shina. Ato po shkaktojnë defekte në sistemet e kontrollit të linjave hekurudhore. Duket se bëhet fjalë për sabotim”, njoftoi kompania ProRail.
Kompania nuk bëri të ditur se çfarë materialesh ishin gjetur mbi shina, ndërsa deri tani nuk ka të dhëna se kush mund të qëndrojë pas sabotimit.
Kompania kombëtare hekurudhore njoftoi se qarkullimi i trenave në zonat përreth qyteteve Zwolle, Deventer dhe Amersfoort ishte çrregulluar rëndë gjatë orarit të ngarkuar të mëngjesit.
“Ende nuk është e qartë se sa kohë do të nevojitet që qarkullimi hekurudhor të rikthehet në normalitet”, thuhej në njoftimin drejtuar udhëtarëve.
Ndërprerjet ndodhën në ditën kur qeveria holandeze i paraqet parlamentit buxhetin vjetor, një ngjarje që tërheq mijëra njerëz në Hagë për të parë familjen mbretërore teksa kalon nëpër qytet me një karrocë të tërhequr nga kuaj.



















