Gjykata ka liruar nga burgu Saimir Kushova, i cili u akuzua se punësoi në mënyrë të paligjshme në grupin e tij të ekspeditës, 29-vjeçaren britanike Rebecca Gannon që u mbyt në ujërat e Sarandës disa ditë më parë.
Ndaj tij Gjykata ka vendosur ndjekje në gjendje të lirë nëpërmjet garancisë pasurore prej 1.5 milion lekë të reja.
Rebecca Gannon, 29 vjeç, ishte me të dashurin e saj kur u gjend në vështirësi gjatë zhytjes nën ujë të hënën pasdite me një grup prej shtatë zhytësish të tjerë. Instruktori Saimir Kushova, 45 vjeç, u hodh në ujë për ta shpëtuar pasi vuri re se ishte në vështirësi dhe arriti ta nxirrte në sipërfaqe.
“Duhet të kemi qenë gjithsej 12 persona dhe gjithsej 3 instruktorë një prej të cilëve fliste shumë mirë anglisht dhe quhej Gerta Brozi. Ajo kontrolloi pajisjet por nuk u kushtoi shumë vëmendje. E di që kishte një problem me rregullatorin e oksigjenit të Rebecca-s, por Gerta tha se e kishte zgjidhur.U futëm në ujë, por nuk e di nëse problemi ishte zgjidhur. Kishim shkuar shumë thellë kur një nga grupi kishte probleme me presionin dhe doli në sipërfaqe. Nuk mund ta shikoja dot Rebecca-n kur ishte në ujë për shkak të shikueshmërisë së dobët. Mund të kem qëndruar në ujë për rreth 25 minuta dhe kur dola në sipërfaqe pashë një anije policie afër nesh dhe kuptova që diçka e keqe kishte ndodhur“. Kështu i përshkruan minutat kur ndodhi tragjedia i dashuri i Rebecca Gannon.