“Turqia është një mike e çmuar e Shqipërisë dhe e popullit shqiptar”

“Shpreha mirënjohjen ndaj Turqisë dhe Presidentit Erdoğan për ndihmën e madhe që i ka dhënë vendit tonë për rindërtimin e shtëpive të shkatërruara nga tërmeti dhe përballimin e pandemisë COVID-19”, tha kreu i PD-së, Basha.

Kryetari i Asamblesë së Madhe Kombëtare të Turqisë (TBMM), Mustafa Şentop, është takuar me kryetarin e Partisë Demokratike të Shqipërisë (PD), Lulzim Basha, transmeton Anadolu Agency (AA).

Në rrjetet sociale, në lidhje me takimin Basha shkruan se ka shprehur vullnetin për thellimin e bashkëpunimit në të ardhmen midis dy vendeve.

“Pata kënaqësinë të mirëpres sot Kryetarin e Parlamentit të Turqisë Mustafa Şentop. Shpreha mirënjohjen ndaj Turqisë dhe Presidentit Erdoğan për ndihmën e madhe që i ka dhënë vendit tonë për rindërtimin e shtëpive të shkatërruara nga tërmeti dhe përballimin e pandemisë COVID-19”, është shprehur Basha.

Kreu i PD-së ka theksuar se Turqia është një mike e çmuar e Shqipërisë dhe e popullit shqiptar dhe “ka qenë pranë nesh në momente të rëndësishme për vendin dhe kombin tonë, si anëtarësimi në NATO, ndërtimi i Rrugës së Kombit, pavarësia e Kosovës dhe fushata për njohjen e saj”.

“Shpreha vullnetin tim për thellimin e bashkëpunimit në të ardhmen midis vendeve tona duke zgjeruar marrëdhëniet ekonomike që do të sjellin zhvillim dhe punësim për qytetarët shqiptarë”, ka shkruar më tej Basha.

Gjatë ditës së parë të vizitës zyrtare në Shqipëri, kryeparlamentari i Turqisë u takua me presidentin Ilir Meta, homologun e tij Gramoz Ruçi dhe kryeministrin Edi Rama.

Në takimet me zyrtarët e lartë të Shqipërisë u diskutua për marrëdhëniet mes dy vendeve dhe ndihmën e Turqisë ndaj Shqipërisë në sektorë të ndryshëm.

Kategoritë
LajmeRajoni