Trump po “ndëshkon” Gjermaninë: Pesë vende të NATO-s po garojnë për ushtarët amerikanë

Të paktën pesë vende të NATO-s në krahun lindor të Evropës po garojnë për të pritur ushtarë amerikanë, pasi presidenti amerikan Donald Trump njoftoi tërheqjen e 5000 ose më shumë ushtarëve nga Gjermania. Polonia, Estonia, Lituania, Letonia dhe Rumania kanë shprehur interes për të pritur më shumë forca amerikane, duke përdorur si argument mbështetjen e tyre për luftën amerikane në Iran, shkruan Politico.

Lobimi i shtuar vjen pasi Trump në fillim të këtij muaji njoftoi zvogëlimin e trupave në Gjermani për shkak të tensioneve në rritje me Berlinin, të nxitura nga komentet e kancelarit Friedrich Merz se Teherani e kishte “poshtëruar” Uashingtonin me taktikat e tij negociuese në luftën iraniane.

Thirrje publike dhe lobim prapa skenave

Zëvendësministri rumun i Mbrojtjes, Sorin Moldovan, deklaroi për Politico:

“Besoj fuqishëm se një prani më e madhe amerikane në krahun lindor është e domosdoshme… Ne do ta mirëprisnim një prani të përhershme amerikane në territorin tonë. Rumania ka treguar vazhdimisht përkushtimin e saj ndaj Partneritetit Strategjik me SHBA-në dhe është dëshmuar si partner i besueshëm.”

Shefi i tij, ministri i Mbrojtjes Radu Miruță, ishte edhe më i drejtpërdrejtë duke deklaruar para gazetarëve në takimin e ministrave të mbrojtjes:

“Na duhen më shumë ushtarë.”

Ata nuk janë të vetmit. Javën e kaluar edhe presidenti polak Karol Nawrocki dhe homologu i tij lituanez Gitanas Nausėda deklaruan se janë të gatshëm të presin më shumë ushtarë amerikanë. Ministrja e Jashtme e Letonisë, Baiba Braže, përsëriti të njëjtin qëndrim të hënën.

Një zëdhënës i ministrisë estoneze të Mbrojtjes deklaroi për Politico se vendi i tij “e vlerëson jashtëzakonisht kontributin e SHBA-së dhe mbështet një prani më të madhe amerikane për të siguruar parandalim dhe mbrojtje të fortë në gjithë Baltikun”.

Frika nga Rusia dhe mbështetja për SHBA-në

Aleatët në krahun lindor, shumë prej të cilëve kufizohen me Rusinë, i shohin SHBA-në dhe ushtarët amerikanë në territorin e tyre si garantuesin kryesor të sigurisë dhe një mjet parandalues ndaj Moskës revizioniste, sidomos pas fillimit të pushtimit të plotë të Ukrainës.

Kjo është një nga arsyet pse këto vende janë përmbajtur nga kritikat ndaj Trumpit dhe kanë mbështetur luftën në Iran. Të pesë vendet kanë aktualisht një prani modeste të trupave amerikane, sipas të dhënave zyrtare.

Përveç deklaratave publike, janë zhvilluar edhe negociata prapa skenave. Sipas një diplomati të lartë të NATO-s, delegacioni i të paktën një vendi aleat i është drejtuar drejtpërdrejt ambasadorit amerikan në NATO, Matthew Whitaker, për t’i paraqitur argumentet e veta.

Ata besojnë se ekziston një “dritare mundësie”.

Përgjigjja e Trumpit dhe skena politike polake

Duket se kjo strategji, të paktën në letër, po jep rezultate. Trump deklaroi të shtunën para gazetarëve se “mund” t’i zhvendosë ushtarët amerikanë në Poloni.

“Kam një marrëdhënie të shkëlqyer me presidentin”, tha ai, “prandaj kjo është e mundur.”

Megjithatë, realiteti politik në terren mund të krijojë pengesa. Kryeministri polak Donald Tusk, rival politik i presidentit Nawrocki, paralajmëroi javën e kaluar se Polonia nuk duhet “t’ua rrëmbejë” ushtarët aleatëve të tjerë.

Ai shtoi se Varshava do të shfrytëzojë “çdo mundësi” për rritjen e pranisë amerikane në territorin e saj, por nuk do të lejojë që vendi të përdoret për të dëmtuar unitetin evropian.

Pengesat praktike dhe strategjia amerikane

Pentagoni ende nuk ka marrë një vendim përfundimtar se cilët ushtarë do të përfshihen në reduktimin e forcave në Gjermani, deklaroi një zyrtar amerikan që dëshiroi të mbetet anonim. Gjithashtu nuk është e qartë nëse këta ushtarë do të zhvendosen në ndonjë vend tjetër evropian apo do të kthehen në SHBA.

Një zyrtar gjerman tha se qeveria gjermane ndoshta nuk do të kundërshtojë një prani më të madhe amerikane pranë kufirit rus si mjet parandalimi, edhe pse autoritetet lokale të qyteteve ku ndodhen bazat amerikane do të preferonin që trupat të qëndronin për arsye ekonomike.

Megjithatë, zhvendosja mund të rezultojë e vështirë në praktikë.

“Jo të gjitha vendet në vijën e parë janë praktikisht të afta të strehojnë edhe 5000 ushtarë shtesë”, tha Jennifer Kavanagh, drejtoreshë për analiza ushtarake në qendrën analitike Defense Priorities.

Sipas saj, Polonia dhe Rumania kanë kapacitete të lira për të pritur më shumë trupa, me disa përmirësime të vogla infrastrukturore, por “në Baltik hapësira është e kufizuar dhe ndoshta do të nevojitej planifikim dhe ndërtim shtesë”.

Përkundër deklaratave të Trumpit, deri tani nuk ka lëvizje konkrete.

“Deri tani amerikanët nuk na janë drejtuar lidhur me ndonjë ndryshim në vendosjen e forcave”, tha një zyrtar i lartë i mbrojtjes nga një vend i krahut lindor.

Kavanagh shtoi se zhvendosja e trupave mund të bie ndesh edhe me realitetin politik brenda vetë administratës amerikane.

“Zhvendosja e forcave drejt lindjes bie ndesh me vizionin e administratës Trump dhe pritshmërinë e saj që Evropa të marrë përgjegjësi për mbrojtjen e vet konvencionale”, përfundoi ajo.

Kategoritë
BotaLajme