Aksident i rëndë në Zvicër: Përmbyset autobusi me turistë holandezë, po përcaktohet numri i viktimave

Një autobus turistik me rreth 48 udhëtarë u përmbys të enjten, në orët e vona të pasdites, në Alpet zvicerane juglindore. Disa persona humbën jetën dhe disa të tjerë u lënduan rëndë, njoftoi policia lokale.

Në vendin e aksidentit u dërguan menjëherë ekipe të shumta shpëtimi, ndërsa në operacionin e gjerë po marrin pjesë edhe disa helikopterë.

Sipas informacioneve të Shoqatës së Përgjithshme Holandeze të Kompanive Turistike, në autobus ndodheshin shtetas të Holandës.

Një zëdhënës i agjencisë deklaroi për gazetën De Telegraaf se për momentin nuk mund të konfirmohet zyrtarisht numri i saktë i personave që kanë humbur jetën dhe i të lënduarve.

Fotografitë nga vendi i ngjarjes tregojnë autobusin e përmbysur pranë një rruge të ngushtë rurale, ndërsa ekipet e shumta të emergjencës dhe shpëtimtarët përpiqen t’i nxjerrin dhe t’u ofrojnë ndihmë të aksidentuarve.

Autobusi ishte nisur nga Holanda të hënën, ndërsa në momentin e aksidentit po zhvillonte një ekskursion njëditor në Zvicër.

Për tragjedinë reagoi edhe presidenti i Zvicrës, Guy Parmelin. Ai paralajmëroi se shërbimet kompetente do të zhvillojnë hetime të hollësishme dhe gjithëpërfshirëse për t’i përcaktuar të gjitha rrethanat dhe shkakun e aksidentit.

Zona e Zernezit njihet si porta hyrëse e Parkut Kombëtar të Zvicrës, një rezervat i gjerë alpin që shtrihet në më shumë se 100 kilometra katrorë në luginën malore Engadin.

Kategoritë
BotaLajme