Tre vjet burg gjeneralit serb se spiunoi në SHBA

Gjykata e Lartë e Beogradit dënoi të premten Momcilo Perisiç, me tre vite burg për kalimin e sekreteve shtetërore SHBA-së në vitin 2002.

Perisiç atëherë mbante postin e  shefit të shtabit të Ushtrisë Jugosllave dhe ish-nënkryeministrër i Serbisë.

Dy persona të tjerë të paditur së bashku me Perisiç, nënkoloneli Miodrag Sekuliç dhe civili Vladan Vlajkoviç u dënuan me një vit e gjysmë burg secili.

Gjykata e Lartë e Beogradit tha në një njoftim për shtyp se Perisiç u dënua për veprën penale të spiunazhit, ndërsa Sekuliç dhe Vjalkoviç për zbulimin e një sekreti ushtarak.

Gjyqi filloi në vitin 2016 dhe është mbyllur për publikun pasi prokuroria tha që dokumentet të cilat dyshohet se janë dërguar në  SHBA të mbeteshin konfidenciale.

Perisiç u deklarua i pafajshëm.

Ai u arrestua në mars 2002 në një hotel pranë Beogradit ndërsa po takonte diplomatin amerikan John David Neighbor, sipas rrëfimit zyrtar të çështjes.

Perisiç i dha atij  dokumente ushtarake rreth pjesëmarrjes së ushtrisë në luftërat në Kroaci dhe Bosnjë.

Të dy u arrestuan, por Neighbor u la i lirë sepse ai kishte imunitet diplomatik dhe SHBA menjëherë mohoi që të ishin marrë të dhëna sekrete.

Në atë kohë Perisiç ishte kryetar i komitetit parlamentar për sigurinë e Asamblesë Federale Jugosllave dhe anëtar i Komitetit Qeveritar për Kontrollin e Sigurimit të shtetit.

Çështja e spiunazhit u mbikëqyr nga gjykata ushtarake e Beogradit deri në 2005, kur u transferua në një gjykatë të rregullt në kryeqytetin serb.

Por, procedurat u pezulluan më pas kur Perisiç u dërgua në Tribunalin Ndërkombëtar të Krimeve për ish Jugosllavinë në Hagë për t’u gjykuar për veprat që pretendohet të ketë kryer gjatë kohës së luftës, ndërsa ishte shefi i shtabit të përgjithshëm të Ushtrisë Jugosllave.

Në vitin 2013, dhoma e apelit e Tribunalit të Hagës vendosi që Perisiç nuk ishte përgjegjës për krimet e kohës së luftës të kryera nga Ushtria Serbe e Bosnjës në Sarajevë dhe Srebrenica sepse nuk ishin nën komandën e Ushtrisë Jugosllave.

Prokuroria e Tribunalit të Hagës kërkoi në vitin 2014  vendimi në çështjen Perisic të rishikohej, por gjykata e refuzoi atë.

Kategoritë
LajmeRajoni