Si mund të kthehen serbët që lëshuan institucionet e Kosovës?

Pas vendimit të Qeverisë së Kosovës për targat, serbët në nëntor të 2022’s hoqën dorë nga institucionet, përfshirë kuvendin, komunat, policinë, gjykatat e prokuroritë. Në kuvend e komuna ata u zëvendësuan, ndërsa në institucionet tjera jo. Kthimi i “gjendjes së mëparshme” është një nga kërkesat e Vuçiqit që e bëri pas mbylljes së objekteve të komunave ilegale në Veri. KGJK thotë se çështja e kthimit të gjyqtarëve dhe prokurorëve do shqyrtohet në kohën e duhur ndërsa nga KDI thonë se kthimi i serbëve në polici duhet të bëhet nëpërmjet konkursit.

Në nëntor të vitit 2022 serbët, në shenjë revolte ndaj vendimit për targat, lëshuan institucionet e Kosovës. Përderisa në Kuvend deputetët që u dorëhoqën u zëvendësuan sikurse edhe kryetarët në katër komunat me kryetarë shqiptarë, zbrazëti mbeti në Polici, Prokurori e Gjykata.

Kjo çështje është riaktualizuar së fundmi, pasi riintegrimi i serbëve në institucione është një nga “masat” (kërkesat), që presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, paraqiti më 13 shtator.

Sa i përket kthimit të gjyqtarëve serbë nga Këshilli Gjyqësor i Kosovës i kanë thënë Gazetës Express se kjo çështje do të shqyrtohet në momentin që KGJK vlerëson se është koha e duhur dhe sipas procedurës së përcaktuar për situata të tilla.

“Këshilli Gjyqësor i Kosovës (KGJK), njofton të gjitha mediat dhe të interesuarit se mbetet pranë qëndrimit të mëhershëm të deklaruar se çështja e dorëheqjeve të gjyqtarëve dhe të administratës së Komunitetit Serb, do të shqyrtohet në momentin që KGJK e vlerëson se është koha e duhur dhe sipas procedurës së përcaktuar për situata të tilla.”

Për këtë çështje, Gazeta Express ka dërguar pyetje në adresë të Policisë, Këshillit Prokurorial e të Ministrisë së Punëve të Brendshme, por deri tani nuk kanë kthyer përgjigje.

Si mund të bëhet kthimi i tyre?

Violetë Haxholli nga KDI i ka thënë Gazetës Express se deklarata e presidentit të Serbisë është e çuditshme sepse dorëheqja e serbëve ka ardhur pas kërkesës së Beogradit zyrtar.

“Çështja e kthimit të serbëve në institucione, që është riaktualizuar pas deklaratës së presidentit serb Aleksandar Vuciq, është një çështje e rëndësishme për Republikën e Kosovës, është një problematikë që po vazhdon se tash e disa kohë kur serbët në Kosovë patën vendosur të largohen nga jeta institucionale e Republikës së Kosovës, ndonëse ishte bërë një punë e madhe paraprakisht për integrimin e tyre në institucione. Deklarata e presidentit të Serbisë ishte e çuditshme për ne, në bazë të vlerësimit tonë, pasi që pikërisht kërkesa apo ideja për tërheqjen e përfaqësuesve serbë ka ardh nga Serbia, pra ka qenë Beogradi zyrtar ai që i ka shtyrë përfaqësuesit serbë që të largohen nga jeta institucionale e Republikës së Kosovës”, tha ajo.

Haxholli shtoi se integrimin e serbëve në institucione e do edhe Kosova.

Ajo tha se kthimi i serbëve në Polici, Gjykatë e Prokurori duhet të bëhet përmes konkurseve publike.

Edhe institucionet e Kosovës e dëshirojnë rikthimin e komunitetit serb në jetën publike. Se si mund të bëhet kjo, sa i përket përfaqësuesve serbë në polici, gjykata e prokuroria kjo duhet të bëhet në bazë të ligjeve në fuqi. Nëse ata kanë hequr dorë, kanë dhënë dorëheqje nga vendet e punës së tyre, duhet të kalojnë sërish nga konkurset publike në mënyrë që  t’i rifitojnë sërish vendet e punës në bazë të kritereve dhe meritave siç parashihet në legjislacionin e Republikës së Kosovës.

Haxholli tha se çështja e kthimit të komunitetit serb në institucionet e Kosovës mund të “përmendet” në dialog dhe sipas saj është mirë që të ketë progres në këtë drejtim.

“Kjo çështje mund të përmendet në dialog, është mirë fakti që edhe Kosova edhe Serbia dëshirojnë rikthimin e përfaqësuesve serbë në institucione, pra është një kërkesë për të cilën ka dakordancë. Pra është një pikë ku pajtohen palët dhe mund të diskutohet dhe është mirë që të kemi progres në këtë drejtim, pra që përfaqësuesit serbë të kthehen në institucione në mënyrë që edhe interesat e komunitetit serb në Kosovë të jenë të përfaqësuara në institucionet publike, pra që ata të jenë pjesëmarrës në jetën publike dhe institucionale të Kosovës”

Reagimi i BE’së dhe i institucioneve të Kosovës

Bashkimi Evropian, ka mirëpritur thirrjet e Vuçiqit për riintegrimin e serbëve në Kosovë.

“Ne e mirëpresim gatishmërinë e shprehur nga presidenti Vuçiq për të vazhduar angazhimin në dialogun e lehtësuar nga BE-ja. Pozitivisht e marrim edhe thirrjen e tij për serbët e Kosovës, që të marrin pjesë në zgjedhjet në Kosovë dhe të riintegrohen në të gjitha institucionet e Kosovës, nga të cilat janë larguar në vitin 2022”, tha zëdhënësi i BE-së, Peter Stano, për REL.

Ndërsa, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, dje tha se kërkesa e Vuçiqit për kthimin e serbëve në institucionet e Kosovës nuk është e sinqertë. Sipas saj, ajo është retorikë për ta hequr vëmendjen nga përpjekjet e Serbisë për destabilizim.

Osmani shtoi se Kosova është e interesuar që serbët të jenë në institucione ashtu siç u takon me Kushtetutë.

“Ne jemi të interesuar që serbët të jenë në institucione, gjë që ju takon edhe me Kushtetutë edhe me pako të Ahtisarit. Kosova është multietnike jo përse thotë Vuçiqi, por që u takon me Kushtetutë. Në asnjë moment nuk besoj që Vuçiqi e ka atë qëllim. Ai duket ser po punon vetëm në destabilizim të rajonit dhe kthim në vitet e 90-ta”, tha Osmani.

Dje pas takimit në Bruksel, zëvendëskryeministri i parë, Besnik Bislimi foli para gazetarëve, ku u pyet edhe për “masat” e Vuçiqit. Ai tha se është brengosëse për të se deklaratat e Vuçiqit nuk kanë hasur në reagim të ashpër nga Komisioni Evropian dhe Bashkimi Evropian.

“Fillimisht takimi i sotëm është ftuar para deklarimit të zotit Vuçiq. Zoti Vuçiq është shumë gjeneroz me deklarata, pothuajse çdo ditë e gjen nëpër televizione. Ajo që për mua ka qenë brengosëse, jo përmbajtja, raportimi apo konstatimet, por fakti që këto konstatime të tij nuk kanë hasur në brengë apo reagim të ashpër nga Komisioni Evropian apo nga Bashkimi Evropian, por ajo që është zgjedhur është që nga një fjalim 40 apo 50 minutash të zgjidhen dy minuta që mund të interpretohen pozitivisht dhe i gjithë reagimi është marrë me ato dy minuta e jo me përmbajtjen shumë të rrezikshme të këtij adresimi.”

Ndërsa kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, tha para gazetarëve se një veprim i tillë do të ishte antikushtetues, ndërsa ministrja e Jashtme, Donika Gërvalla, tha se Vuçiq, me kërkesat e tij, synon të vazhdojë “instrumentalizimin e serbëve” të Kosovës.

Ndërkaq sa i përket kërkesës së Vuçiqit për zgjedhje të parakohshme në Veri, ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi ka thënë se ato mund të mbahen gjatë muajit prill ose tetor të vitit 2025.

“Që të jemi të qartë, zgjedhjet në katër komunat veriore mund të mbahen gjatë muajit prill të vitit 2025 por meqenëse kalendari për zgjedhjet lokale është i caktuar për muajin tetor të po këtij, viti atëherë nuk shoh mundësi që zgjedhjet në këto komuna të mbahen në muajin prill. Këtë e mundëson udhëzimi administrativ i Qeverisë”, ka thënë Krasniqi për mediumin “Arbëria”.

Kategoritë
LajmeVendi