Si funksiononin kampet ruse në Bosnje dhe Hercegovinë: Në gjyqin në Moldavi u zbuluan shumë detaje

Në Moldavi, pas hetimeve për dërgimin e qytetarëve të këtij vendi në kampe ruse në Bosnje dhe Hercegovinë dhe Serbi, është hapur një proces gjyqësor ku janë zbuluar detaje të reja rreth këtij skandali të sigurisë. Sipas raportimit të Politico, seanca e djeshme u përqendrua në dëshminë e Maxim Roșca-s. Ai tregoi se, teksa punonte në një autosallon, Anatoli Prizenco i kishte ofruar një udhëtim dyjavor me pagesë.

Prizenco i kishte thënë se për këtë udhëtim do të fitonte 300 deri në 500 dollarë, por pa dhënë detaje të tjera, duke shtuar se informacionet e mëtejshme do t’i jepeshin nga një kontakt anonim në Moskë.

Disa javë pasi pranoi ofertën, Roșca fillimisht u dërgua në Serbi dhe më pas në Bosnje dhe Hercegovinë. Atje, në kampe të drejtuara nga agjenci të lidhura me Rusinë, ai mori trajnim për përdorimin e dronëve, shmangien e policisë gjatë protestave dhe përdorimin e mjeteve shpërthyese.

Sipas prokurorëve moldavë, plani i operativëve rusë ishte që personat e trajnuar në këto kampe të dërgoheshin në vendet evropiane për të marrë pjesë në aktivitete destabilizuese.

Prokuroria thekson se Prizenco vepronte si rekrutues në një rrjet të gjerë ndërkombëtar të lidhur me Rusinë, i cili ka trajnuar dhjetëra persona për operacione ndikimi. Ai pritet të dalë para gjykatës në Kishinau.

Prokuroria moldave po heton mbi 80 persona për dyshime se kanë nxitur trazira masive, ndërsa 20 prej tyre tashmë janë akuzuar zyrtarisht. Të paktën dy persona të lidhur me këto kampe dyshohen edhe për operacione destabilizuese në Francë dhe Gjermani.

Roșca ra në vëmendjen e autoriteteve më 11 tetor 2024, kur u ndalua gjatë hyrjes në Moldavi nga Rumania. Në automjet u gjetën valuta serbe dhe boshnjake, karta SIM, pajisje USB, pjesë dronësh, syze të realitetit virtual dhe pajisje me komandë radio. Po ashtu u gjetën edhe pajisje njëpërdorimshme për hedhjen e granatave nga ajri.

Tre persona nga i njëjti automjet u dënuan muajin e kaluar me 4 deri në 5 vite burg për nxitje të trazirave masive. Roșca, i cili pretendon se është rrahur pasi refuzoi të marrë pjesë në trajnim, dëshmoi në këtë proces.

Në gjykatë, ai deklaroi se fillimisht ishte dërguar në Republikën Srpska në Bosnje dhe Hercegovinë, ku u trajnuan në zona pyjore pranë Banja Lukës. Aty pjesëmarrësit u trajnuan për pjesëmarrje në protesta, përdorimin e dronëve dhe përgatitjen e bombave tymuese.

Këto trajnime u zhvilluan pak para zgjedhjeve presidenciale të vitit 2024, ku presidentja pro-evropiane Maia Sandu u rizgjodh në një proces të shoqëruar me akuza për ndërhyrje ruse.

Sipas dokumenteve gjyqësore, pjesëmarrësve u ishte thënë se nëse Sandu fiton zgjedhjet, në vend do të shpërthejë një luftë si në Ukrainë.

Një dëshmitar përshkroi një kamp me katër çadra pranë një lumi, ku pjesëmarrësit mësonin përdorimin e dronëve me syze dhe joystick. Sipas shërbimeve moldave të inteligjencës, instruktorët ishin pjesë e një rrjeti ndërkombëtar të lidhur me grupin mercenar rus Wagner.

Më pas, pjesëmarrësit u dërguan në Banja Lukë për ushtrime praktike, duke regjistruar objekte administrative dhe duke identifikuar vende për lëshimin e dronëve.

Sipas dëshmisë, ata transportoheshin nga një person me emrin “Mircho”, i identifikuar si Mircho Angelov, një nga instruktorët e huaj në këto kampe.

Moldavia, e vendosur mes Rumanisë dhe Ukrainës, konsiderohet pjesë e zonës së interesit të Moskës dhe së fundmi është kthyer në një front të rëndësishëm të luftës hibride ruse kundër Evropës.

Qeveria e Moldavisë ka akuzuar Rusinë për ndërhyrje në referendumin e vitit 2024 për anëtarësim në BE dhe në zgjedhje, akuza që Moska i ka mohuar.

Sipas një dokumenti të ndarë me zyrtarët e BE-së, disa klerikë në Moldavi janë udhëzuar të shpërndajnë dezinformata gjatë gjithë javës.

Operacionet përfshinin gjithashtu rrjete propagande në Telegram, blerje votash, protesta të organizuara, sulme kibernetike, rrjete trollësh dhe përmbajtje “deepfake” të krijuar nga inteligjenca artificiale.

Ministri i Brendshëm i Moldavisë, Misail-Nichitin, deklaroi se këto trajnime janë zhvilluar në Bosnje dhe Hercegovinë, Serbi dhe Rusi, duke theksuar se rrjetet operojnë përtej kufijve.

Ai shtoi se në Ukrainë janë shënjestruar mbi 90 persona, përfshirë gazetarë dhe zyrtarë të rëndësishëm.

Sipas autoriteteve, në këto operacione shpesh rekrutohen të rinj pa precedent penal, madje edhe 14–15 vjeç.

Në Francë, disa veprime si vizatimi i simboleve në mure janë lidhur me shtetas nga Moldavia, Bullgaria dhe Serbia, pjesë e të njëjtave rrjete.

Kategoritë
BotaLajme