Putin për “zhvillimet në Evropë”: Mendoj se njerëzit e kuptojnë çfarë po ndodh, prandaj janë të tilla edhe rezultatet në Gjermani

Presidenti rus Vladimir Putin deklaroi se zhvillimet në Evropë, përfshirë fitoren e së djathtës ekstreme në zgjedhjet në një land gjerman, janë rezultat i gabimeve sistematike të bëra nga globalistët në Perëndim.

Duke folur para gazetarëve gjatë ditës së parë të vizitës së tij në Indi, Putin tha gjithashtu se konflikti në Ukrainë është faj i Perëndimit, për shkak të presionit të vazhdueshëm ndaj Moskës dhe përpjekjeve për ta futur Ukrainën në NATO.

Presidenti rus tha se nuk do ta komentonte rezultatin e lartë të partisë Alternativa për Gjermaninë (AfD) në zgjedhjet e së dielës në landin gjerman Saksoni-Anhalt, por më pas shtoi se elitat perëndimore janë përgjegjëse për zhvillimet në kontinent, përfshirë edhe rezultatet zgjedhore.

“Mendoj se gjithçka që po ndodh aktualisht në Evropë është, në thelb, rezultat i gabimeve sistematike të të ashtuquajturit Perëndim, të globalistëve perëndimorë në politikë, siguri dhe ekonomi”, tha Putin.

Sipas tij, vendet perëndimore kanë shpërfillur gjithashtu kundërshtimet e Rusisë ndaj zgjerimit të NATO-s drejt lindjes.

Putin tha se pasi presidenti pro-rus i Ukrainës u detyrua të largohej nga vendi në vitin 2014, Perëndimi vendosi menjëherë si objektiv përfshirjen e Ukrainës në NATO. Sipas tij, kjo përfundimisht u bë arsyeja kryesore e “ngjarjeve tragjike” që po zhvillohen sot në Ukrainë.

“Për këtë janë fajtore elitat globaliste perëndimore, megjithëse ato vazhdimisht përpiqen të na e hedhin fajin neve. Mendoj se njerëzit në Evropë e kuptojnë se çfarë po ndodh. Prej këtu vijnë edhe rezultatet e sotme në Gjermani dhe tendencat në Evropë në përgjithësi”, deklaroi Putin.

Ai gjithashtu pretendoi se vendet perëndimore po i frikësojnë qytetarët e tyre me një “kërcënim të rremë nga Rusia”, i cili, sipas tij, paraqitet sikur ekziston që nga koha e Bashkimit Sovjetik.

“Por një kërcënim i tillë nuk ekziston dhe nuk ka ekzistuar kurrë”, shtoi ai.

Putin pritet që nga e shtuna të marrë pjesë në Samitin e BRICS-it në Indi, së bashku me presidentin kinez Xi Jinping dhe presidentin iranian Masoud Pezeshkian.

AfD doli e para në zgjedhjet e javës së kaluar, pasi gjatë fushatës premtoi kufizimin e migracionit dhe rivendosjen e marrëdhënieve me Moskën. Për të formuar qeverinë, AfD-së tani i duhet të sigurojë mbështetje nga parti të tjera ose të arrijë një marrëveshje me partinë e vogël të majtë BSW.

Kategoritë
BotaLajme