Shqipëri, mbërrijnë mijëra doza të vaksinës kundër COVID-19 nga kompania Pfizer

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, deklaroi se në javët në vazhdim do të mbërrijnë edhe doza të tjera të vaksinës kundër COVID-19.

Në Shqipëri kanë mbërritur edhe 7.020 doza të tjera të vaksinës kundër koronavirusit të ri (COVID-19) nga kompania Pfizer.

Në një konferencë për mediat nga Aeroporti Ndërkombëtar i Tiranës “Nënë Tereza”, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, tha se në javët në vazhdim do të mbërrijnë edhe doza të tjera.

“Ajo që është e rëndësishme të shpjegohet për të kuptuar qartë të gjithë qytetarët që me të drejtë e presin me padurim vaksinën është se ndërkohë jemi intensivisht në komunikim në marrëveshje me AstraZeneca dhe komunikimet janë në disa rrafshe. Përveç rrafshit të komunikimit të drejtpërdrejtë me kompanitë komunikimet zhvillohen edhe me shtete të tjera”, u shpreh Rama.

Sipas kryeministrit Rama, vaksinimi i cili aktualisht po vazhdon në Tiranë do të fillojë edhe në qytete të tjera ë vendit.

Rama theksoi se problemi i vaksinës mbetet një problem serioz në mbarë Evropën. “Kjo Nuk është një çështje vendesh të pasura apo të varfra… Mendoj që ishte shumë e rëndë që Maqedonia e Veriut u detyrua, jo se bëri një zgjidhje të lirë mes disa vaksinave, por u detyrua t’i drejtohet Kinës për të marrë vaksinën kineze. Ishte e rëndë jo për Maqedoninë e Veriut, por për Bashkimin Evropian”, u shpreh Rama.

Duke folur për aspekte të reformës në sistemin shëndetësor, sidomos për autonominë e spitaleve, Rama iu referua edhe Turqisë, duke u shprehur se, “Turqia ka bërë një kapërcim epokal duke ndjekur të njëjtën rrugë që po ndjekim ne, sepse ne e kemi mësuar duke parë Turqinë dhe duke parë vende të tjera”.

Kujtojmë se në fillim të shkurtit në Shqipëri mbërritën 1.170 dozat e para të vaksinave kundër COVID-19 nga kontrata me kompaninë Pfizer.

Shqipëria filloi zyrtarisht më 11 janar fushatën e vaksinimit kundër koronavirusit fillimisht me personelin shëndetësor, sipas autoriteteve me vaksina të dhuruara nga një vend i Bashkimit Evropian.

Sipas autoriteteve, Shqipëria ka siguruar doza të vaksinës kundër COVID-19 për 800 mijë qytetarë nëpërmjet kontratës së drejtpërdrejtë me kompaninë Pfizer dhe mekanizmit të COVAX-it.

Kategoritë
LajmeRajoni