Shefja e Infektivit dhe Rama, të parët që marrin vaksinën anti-Covid në Shqipëri

Shefja e Infektivit, Najada Çomo dhe kryeministri Edi Rama janë personat që kryen vaksinën anti-Covid në Shqipëri.

Mjekja e njohur dhe shefi i qeverisë morën vaksinën në pikën e ngritur në stadiumin “Air Albania”.

Pas tyre, ka qenë rradha e mjekëve Tritan Kalo dhe Pëllumb Pipero për të marrë vaksinën anti-Covid.

“Unë do ta bëj vetëm për të dhënë mesazhin e qartë që vaksina jo vetëm është e sigurtë por vaksina është arma asgjësuese e këtij armiku të padukshëm.
Nuk do dëshiroja ti zija radhën askujt nga ata që duhet ta bëjnë më parë por do ta bëj sot vetëm për këtë arsye. Vaksina nuk është e detyrueshme, askush nuk është i detyrueshëm ta bëjë me pahir por është e këshillueshme“, do të shprehej paraditen e sotme kryeministri Edi Rama.

Vaksinat në fjalë janë prodhim i Pfizer/Biontech, ndërsa deri tani Shqipëria ka siguruar 975 doza.

Vaksinimi do të nisë me personelin shëndetësor. Fillimisht do të jetë personeli mjekësor i Spitaleve Covid 1 dhe Covid 2. Më pas me mësuesit, efektivët e policisë në terren dhe personat mbi 75-vjeç.

Qëndra e parë e vaksinimit anti-Covid është vendosur në stadiumin kombëtar “Air Albania”, raporton Ora News.

Nga nisja e pandemisë, Shqipëria regjistron 63,595 të infektuar dhe 1241 viktima.

Kategoritë
LajmeRajoni