Ndërkaq, ministri i Çështjeve Parlamentare, Kiren Rijiju, tha se të gjithë i përgëzuan forcat e armatosura për operacionin Sindoor, duke shtuar se ata do të mbështesin qeverinë dhe forcat e armatosura
Ministri i Mbrojtjes i Indisë, Rajnath Singh, ka deklaruar se operacioni Sindoor i nisur kundër Pakistanit është një “operacion në vazhdim”, transmeton Anadolu.
Singh këtë e tha gjatë një takimi me të gjitha partitë politike në vend.
Ndërkaq, ministri i Çështjeve Parlamentare, Kiren Rijiju, tha se “kjo është arsyeja pse dhënia e një informacioni dhe prezantimi i çdo incidenti në lidhje me operacionin nuk është e drejtë”.
Rijiju tha se të gjithë i përgëzuan forcat e armatosura për operacionin Sindoor, duke shtuar se ata do të mbështesin qeverinë dhe forcat e armatosura.
Deri më tani nuk ka pasur ndonjë reagim nga Pakistani në lidhje me deklaratën e shefit të mbrojtjes indiane.
Takimi i ministrit indian me partitë politike erdhi pasi kryeministri Narendra Modi kryesoi një takim të nivelit të lartë me zyrtarë të ministrive dhe departamenteve të ndryshme për të shqyrtuar “gatishmërinë kombëtare dhe koordinimin ndër-ministror në dritën e zhvillimeve të fundit në lidhje me sigurinë kombëtare”.
Tensionet midis Indisë dhe Pakistanit u përshkallëzuan këtë javë pasi India të martën vonë njoftoi operacionin Sindoor, duke deklaruar se goditi “infrastrukturën terroriste” në nëntë lokacione në Pakistan.
Zyrtarët indianë thanë se vendi ushtroi “të drejtën për t’u përgjigjur dhe për të parandaluar dhe penguar sulme të tjera të tilla ndërkufitare”.
Ushtria pakistaneze tha se 31 persona u vranë në sulmet me raketa të Indisë dhe të shtënat ndërkufitare në Kashmirin e administruar nga Pakistani.
Sipas zyrtarëve indianë, 13 persona dhe një ushtar indian u vranë në të shtënat ndërkufitare përgjatë “vijës së kontrollit” (LoC) në Kashmirin e administruar nga India, respektivisht kufirit de fakto që ndan rajonin e diskutueshëm të Himalajeve midis dy vendeve rivale.
Tensionet e fundit midis dy fqinjëve të armatosur me armë bërthamore erdhën pas sulmit të 22 prillit në Pahalgam në Kashmirin e administruar nga India, ku u vranë 26 persona.
India fajësoi Pakistanin për sulmin në Pahalgam, duke pretenduar se sulmi kishte lidhje ndërkufitare, por Pakistani mohoi përfshirjen dhe bëri thirrje për një hetim neutral.
Pakistani tha se ka rrëzuar pesë avionë indianë dhe u zotua për hakmarrje.
Zëdhënësi ushtarak i Pakistanit, Ahmed Sharif Chaudhry, tha se forcat rrëzuan 25 dronë Harop të lëshuar nga India gjatë natës, duke e quajtur këtë një “provokim serioz”. Ai tha se një civil u vra dhe katër ushtarë pakistanezë u plagosën në sulmet me dronë.