Shahini: 18 mijë biznese janë mbyllur për katër vjet, numri zyrtar më i vogël për shkak të procedurave të rënduara

Aleanca Kosovare e Bizneseve (AKB) ka publikuar një studim hulumtues për trendin e ndërmarrësisë dhe punësimit në Kosovë, sipas të cilit, në katër vitet e fundit janë mbyllur rreth 18 mijë biznese dhe kanë mbetur pa punë rreth 20 mijë punëtorë.

Siç ka thënë kryetari i kësaj aleance, Agim Shahini, ky është numri real i bizneseve të mbyllura, megjithëse zyrtarisht janë vetëm 6 773 sosh.

Ai ka thënë se për shkak të procedurave të rënduara të mbylljes, bizneset të cilat kanë shuar aktivitetin e tyre, figurojnë si të hapura në statistika të pasakta, sipas tij.

Prandaj, Shahini ka kërkuar që Qeveria t’i lehtësojë këto procedura, në mënyrë që edhe të dhënat të jenë të sakta.

“AKB do të publikojë një studim hulumtues të bërë në shtator, që përfshin katër vitet e kaluara, nga 1 janari, 2020 deri më 1 janar, 2024. Ky studim ka të bëjë me trendin e ndërmarrësisë dhe të punësimit në Kosovë”.

“Neve na del që kemi zyrtarisht rreth 6 733 biznese të mbyllura zyrtarisht në katër vitet e kaluara. Këto biznese kanë operuar ndër vite dhe supozohet se kanë pasur tre të punësuar, që në total del se pa punë kanë mbetur rreth 20 mijë punëtorë”.

“Ka edhe shumë biznese që kanë shuar aktivitetin e tyre, por nuk e kanë deklaruar mbylljen për shkak të procedurave, rreth 4 500 biznese në nivel vjetor, ose për katër vite, rreth 18 mijë biznese. Neve na shqetëson fakti që procedurat e mbylljes së bizneseve janë të ngarkuara dhe shteti duhet të bëjë çmos që t’i lehtësojë këto procedura, në mënyrë që të kemi statistika të sakta”.

Ndërsa, kur foli për bizneset e reja, Shahini tha se sipas studimit, gjatë katër viteve të kaluara, janë hapur 42 957 biznese të sektorëve të ndryshëm në Kosovë.

“Nëse flasim për biznese të hapura, në Kosovë gjatë katër viteve të kaluara, janë hapur 42 957 biznese të sektorëve të ndryshëm. Këto biznese supozohen se kanë punësuar 55 444 punëtorë”.

Kategoritë
LajmeLajmet KryesoreVendi