Përfaqësuesi Special i Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Ballkanin Perëndimor Gabriel Escobar si dhe përfaqësuesi Special i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak janë duke qëndruar në Beograd.
Pas një vizite tri ditore në Kosovë, dje të njëjtit kanë udhëtuar për në Serbi.
Ministri i Punëve të Jashtme të Serbisë, Nikola Selakoviq është takuar sot me Escobar dhe Lajçak me të cilët ka diskutuar për zhvillimet në kuadër të dialogut.
Selakoviq ka pretenduar se Serbia ka përmbushur shumicën e obligimeve të dala nga dialogu, derisa sipas tij Kosova edhe pas gati nëntë vitesh të arritjes së marrëveshjes, nuk e ka implementuar pjesën kryesore të marrëveshjes, e që Selakoviq thotë se është Asociacioni i Komunave me shumicë serbe, transmeton lajmi.net.
Selakoviq në këtë takim ka diskutuar edhe për çështjen e zgjedhjeve të ardhshme të Serbisë, duke shtuar se duhet të gjendet një zgjidhje meqë sipas tij, në dy dekadat e fundit serbët në Kosovë kanë arritur të votojnë dhe këto vota janë mbledhur me asistencën e OSBE-së./Lajmi.net/















