SDA: Krahasimi i Alija Izetbegoviqit me kriminelët e luftës i bërë nga Christian Schmidt është i turpshëm

Partia e Veprimit Demokratik (SDA) ka reaguar ndaj deklaratës së Përfaqësuesit të Lartë në Bosnjë e Hercegovinë (BeH), Christian Schmidt, i cili barazoi Alija Izetbegoviqin me të dënuarin për krime lufte, Ratko Mlladiq, raporton Anadolu.

“Deklarata e Përfaqësuesit të Lartë, Christian Schmidt se fotografitë në tekstet shkollore të Ratko Mlladiqit dhe Alija Izetbegoviqit janë një problem i barabartë, është skandaloze. Është e papranueshme që këta dy emra të përmenden në të njëjtën fjali dhe të barazohen në çfarëdo konteksti”, thonë nga SDA.

Nga kjo parti kujtuan se krimineli i luftës Ratko Mlladiq është dënuar me burgim të përjetshëm para Gjykatës Ndërkombëtare Penale për gjenocid, krime kundër njerëzimit dhe forma të tjera të rënda të krimeve të luftës, duke shtuar se do të mbahet mend përgjithmonë si i tillë.

“Nga ana tjetër, Alija Izetbegoviq ishte kryetar i Presidencës së BeH-së, një vend që mbrohej nga agresioni, komandant suprem i ushtrisë së saj të nderuar dhe një udhëheqës që edhe në kohët më të vështira të luftës, këmbënguli në respektim të konventave ndërkombëtare, duke mbrojtur popullsinë civile, të drejtat e njeriut dhe vlerat demokratike”, njoftoi SDA.

Gjithashtu, kjo parti plitike kujtoi se Alija Izetbegoviq ishte fitues i dy çmimeve prestigjioze ndërkombëtare për kontributin e tij në demokraci ndërsa gazeta spanjolle “El Mundo” e shpalli atë “Personaliteti i Vitit” në botë në vitin 1995.

Më tej në reagimin e SDA-së thuhet: “Christian Schmidt me siguri i di të gjitha këto. Kjo është arsyeja pse deklarata e tij në të cilën ai i barazon këto dy personalitete është veçanërisht fyese. Pas pezullimit të Kushtetutës dhe përjashtimit të nënkryetarit boshnjak të Federatës së BeH-së nga procesi i formimit të qeverisë, boshnjakët dhe patriotët boshnjakë tani po gjykohen duke i krahasuar njerëzit e tyre të mëdhenj me kriminelët e luftës, duke ua marrë atë që është më e shenjtë për ta – nderi dhe fytyra”.

“Këtë nuk do ta lejojmë. Nuk mund të barazohen e mira dhe e keqja, e vërteta dhe gënjeshtra, pa marrë parasysh llogaritjet e padrejta të bashkësisë ndërkombëtare në BeH. Drejtësia dhe e vërteta janë një parakusht i domosdoshëm për vendosjen e paqes së qëndrueshme në BeH dhe në rajon”, tha SDA.

Kategoritë
LajmeRajoni