SBASHK: Ministri Murati të gjejë zgjidhje për pagat, nëse s’iu dalin sot do të shqyrtojmë veprime sindikale

SBASHK përmes një komunikate për media i ka bërë thirrje ministrit të Financave, Hekuran Murati, që të gjejë një zgjidhje ligjore në mënyrë që të ekzekutohen pagat për mësimdhënësit sot.

Në komunikatë, Sindikata e Bashkuar e Arsimit ka thënë se mosekzekutimi i pagave do të paraqes probleme për arsimtarët.

“Kujtojmë ministrin Murati se mos ekzekutimi me kohë i pagave për muajin shtator shkakton efekte negative financiare te punëtorët e arsimit dhe jo vetëm nga fakti se shumica e tyre jetojnë me atë pagë dhe mezi e lidhin fillimin e muajit me fundin e tij. Aq më keq, shumë prej tyre edhe janë në kredi dhe vonesa e ekzekutimit të pagave u krijon probleme shtesë ngase këstet e kredive janë të ndërlidhura me data dhe me daljen e pagave dhe kështu të punësuarit pa fajin e tyre mund të ndëshkohen me kamata shtesë për kreditë e tyre”, thuhet në reagimin e SBASHK-ut.

Në fund, organizata që drejtohet nga Rrahman Jasharaj kanë kërkuar që të gjendet një zgjidhje urgjente dhe kanë paralajmëruar edhe veprime sindikale nëse s’do të ndodhë një gjë e tillë.

“SBASHK kërkon urgjentisht nga ministri Murati që të ndjehet përgjegjës për mos ekzekutimin me kohë të pagave të shtatorit dhe të shtojë angazhimet e të gjejë mundësi ligjore që ekzekutimi i pagave të bëhet që sot sepse në të kundërtën do të konsultohemi me anëtarësinë dhe duke respektuar zërin e tyre, mund të nisim me veprime sindikale”.

Kategoritë
LajmeVendi