Ruçi: Shqipëria dhe Turqia janë partnerë të besueshëm në NATO

Pas takimit, Şentop dhe Ruçi dhanë një deklaratë të përbashkët për media, duke u fokusuar në ndihmën e Turqisë për Shqipërinë dhe rritjen e bashkëpunimit mes dy vendeve

Kryetari i Asamblesë së Madhe Kombëtare të Turqisë (TBMM), Mustafa Şentop, ka filluar vizitën zyrtare dyditore në Shqipëri, ndërkohë është pritur në takim nga homologu i tij shqiptar, Gramoz Ruçi

Pas takimit, Şentop dhe Ruçi dhanë një deklaratë të përbashkët për media, duke u fokusuar në ndihmën e Turqisë për Shqipërinë dhe rritjen e bashkëpunimit mes dy vendeve.

Ruçi theksoi se Shqipëria dhe Turqia janë partnerë të besueshëm në NATO dhe po punojnë intensivisht për të arritur objektivin e tyre për anëtarësim në Bashkimin Evropian (BE).

“E falënderova dhe shpreha mirënjohjen për ndihmën që qeveria dhe populli turk nën udhëheqjen dhe me iniciativën e presidentit (Recep Tayyip) Erdoğan i kanë dhënë dhe po i japin Shqipërisë. Sigurisht që mirënjohja jonë shkon për ndërtimin e 522 shtëpive të banimit pas pasojave të tërmetit të 26 nëntorit, edhe pse Turqia u godit vetë nga një tërmet. I shpreha mirënjohjen presidentit të Asamblesë së Turqisë për ndihmën e madhe që ky vend i dha Shqipërisë për përballimin e vështirësive dhe rimëkëmbjen nga pandemia”, u shpreh Ruçi.

Ai tha se ndihmat e veçanta të Turqisë në infrastrukturën e sistemit të shëndetësisë, bashkëpunimi për kurimin e pacientëve në shtetin turk apo ndërtim i Spitalit të Fierit janë “tregues konkret për këtë kontribut që shteti dhe populli turk kanë dhënë si vend”.

Më tej, Ruçi theksoi se homologut Şentop i ka përcjellë se “Shqipëria vlerëson partneritetin strategjik dhe marrëdhëniet tradicionale shumë të mira dhe miqësore me Tiranën dhe anasjelltas të Tiranës me Turqinë, në shërbim të fqinjësisë, stabilitetit, paqes dhe përparimit në rajon dhe më gjerë”.

“Bashkërisht vlerësuam vizitën e kryeministrit (Edi) Rama dhe takimin me presidentin Erdoğan në Ankara më 6 janar dhe sigurisht përshëndetëm nënshkrimin e deklaratës së përbashkët politike, deklaratë që i ngre marrëdhëniet tona dypalëshe në nivelin e partneritetit strategjik. Të dy bashkë ramë dakord që ridimensionimi i bashkëpunimit parlamentar ndërmjet rigjallërimit të grupeve të miqësisë të nxisë marrëdhëniet tona dypalëshe. Siç dihet Shqipëria dhe Turqia janë partnerë të besueshëm në NATO dhe po punojnë intensivisht për të arritur objektivin e tyre kombëtar për anëtarësim në Bashkimin Evropian”, u shpreh Ruçi.

Sipas tij, integrimi evropian është destinacioni i pakthyeshëm dhe i pandryshueshëm i të dy vendeve.

Kryeparlamentari i Shqipërisë theksoi se ranë dakord që të vazhdojnë mbështetjen për kompanitë turke për investime edhe më të mëdha në Shqipëri.

“Përshëndetëm edhe marrëveshjen e nënshkruar pak muaj më parë në Shtëpinë e Bardhë për normalizimin e marrëdhënieve ekonomike midis Kosovës dhe Serbisë, ashtu sikurse edhe deklaratën e Departamentit të Shtetit të datës 28 janar 2021 dhe po ashtu deklaratën e presidentit të sapo zgjedhur Joe Biden se thelbësore për ecjen përpara të Kosovës dhe Serbisë është një zgjidhje gjithëpërfshirëse e cila do të çojë në njohje të ndërsjellë, duke ruajtur sovranitetin dhe integritetin rajonal të të dyja vendeve”, tha kryeparlamentari i Shqipërisë

Gjatë vizitës në Shqipëri, kryeparlamentari i Turqisë është takuar edhe me presidentin Ilir Meta. Gjithashtu do të takohet me kryeministrin Rama, si dhe do të vizitojë qytetin e Shkodrës.

Kategoritë
LajmeRajoni