Nëpër rrugët e Kosovës qarkullojnë afro 500 mijë vetura të ndryshme. Mbi 144 mijë prej tyre janë nga Gjermania dhe i përkasin markës Wolkswagen.
Kurse, nga muaji janar e deri më tani më targa RKS janë pajisur mbi 32 mijë vetura të reja.
Qytetarët e Kosovës pa dyshim që janë merakli të veturave. Ky fakt është i dëshmuar tashmë disa herë. Por, këtë e forcojnë edhe më shumë statistikat zyrtare që ka shteti për veturat që qarkullojnë çdo ditë në rrugë.
Ministria e Punëve të Brendshme ka treguar për lajmi.net se aktualisht në vendin tonë janë 490 mijë e 86 vetura të regjistruara.
Përveç numrit të madh, befasuese është shifra e veturave të reja që janë regjistruar gjatë muajve të këtij viti.
Sipas MPB-së me targa të Kosovës nga janari e deri më tani janë pajisur 32 mijë e 128 vetura.
“Brenda vitit 2024 janë regjistruar 330 mijë e 795, në këtë numër është i përfshirë edhe vazhdimi i regjistrimit të veturave që akullojnë. Kurse, vetëm regjistrime të reja të regjistruara nga janari deri në fillim të shtatorit janë 32 mijë e 128 vetura”, thuhet në përgjigjen e MPB.
Mirëpo, përveç këtyre veturave të reja, nëpër rrugët tona qarkullon edhe një veturë fort e vjetër, që i përket vitit 1942.
“Vetura e regjistruar me vitin me të vjetër është e prodhuar në 1942”, kanë treguar në Ministrinë e Punëve të Brendshme.
Një gjë që dihet edhe nuk është shumë befasi, është se kosovarët vazhdojnë ta duan veturën gjermane.
Marka më e preferuar e qytetarëve të Kosovës vazhdon të jetë “Wolkswagen”, pasi se të tilla rragëve të Kosovë qarkullojnë 144 mijë e 223 vetura.
Kujtojmë se nga 1 janar 2024 nuk mund të zhdoganohen vetura më të vjetra se viti i prodhimit 2014. Qeveria e Kosovës në vitin 2017 ka miratuar një ligj, i cili thotë se “mjetet rrugore që importohen në Kosovë, nuk mund të jenë më të vjetra se 10 vjet”.
Me Ligjin për Automjete që ishte miratuar në Kuvendin e Kosovës, thuhet qartë se veturat që janë më të vjetra se 10 vjet nuk mund të importohen.
“Në Kosovë nuk mund të importohen vetura më të vjetra se 10 vjet. Në Kosovë nuk mund të importohen vetura që nuk e plotësojnë standardin Euro katër)”, thuhet në nenin 44 të Ligjit për Automjete.
Gjithashtu, ligji parasheh që mjetet rrugore që importohen në Kosovë duhet të kenë certifikatë të konformitetit për vetura të reja dhe dëshmi të origjinës dhe pronësisë së mjetit ose pjesëve të veçanta të instaluara. /Lajmi.net/