ROSCAP: Doracakët për edukimin seksual janë inicuar dhe zhvilluar gjatë kohës kur në pushtet ishin PDK, LDK dhe LVV

Rrjeti i Organizatave të Shoqërisë Civile për Arsimin Parauniversitar (ROSCAP) përmes një komunikate për media shpreh shqetësimin dhe indinjatën më të thellë për papërgjegjësinë dhe qasjen e përfaqësuesve politikë në Kosovë, të cilët sipas tyre, po përdorin fëmijët dhe arsimin si mjete për përfitime të përkohshme elektorale.

Në reagim thuhet se “duke e trajtuar këtë çështje të rëndësishme për mirëqenien e fëmijëve në mënyrë populliste dhe të njëanshme, të gjitha partitë politike po dëshmojnë mungesë të theksuar kujdesi për nevojat reale të nxënësve dhe për krizën aktuale të arsimit në Kosovë”.“Jemi dëshmitarë të një instrumentalizimi të paprecedent të mirëqenies së fëmijëve dhe të sistemit arsimor nga ana e partive politike, të cilat, në vend se të kontribuojnë në një debat të shëndetshëm dhe të informuar, po përpiqen të fitojnë poena politikë në kurriz të fëmijëve. ROSCAP thekson se ky trajtim jo vetëm që dëmton rëndësinë dhe objektivitetin e edukatës seksuale në shkolla, por edhe dëmton fëmijët dhe të rinjtë, të cilët kanë nevojë për mbrojtje dhe edukim, jo për retorikë politike populliste”, thuhet në reagim.

ROSCAP konsideron se mënyra e abuzimit me të vërteten objektive është absurde dhe njëherësh tejet e rrezikshme.

“Partitë politike kanë zgjedhur të fajësojnë njëra-tjetrën, duke manipuluar faktet për të përfituar vota nga qytetarët që nuk kanë informacion të mjaftueshëm mbi rëndësinë e edukatës seksuale”, vijon reagimi.

Tutje theksohet se “doracakët që u bënë temë kryesore gjatë kësaj jave në Kosovë, janë inicuar dhe zhvilluar gjate kohëve të ndryshme kur me ministrinë e arsimit kanë udhëhequr përfaqësuesit e partive më të mëdha kosovare që sot po akuzojnë njëra-tjetrën, si më poshtë:

Më 08.02.2016, nisma u inicua nga ministri i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK),
Më 10.02.2020, u miratua nga ministrja Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK),
Më 04.06.2021, u promovua dhe lançua nga ministrja e Lëvizjes Vetëvendosje (VV).

ROSCAP konsideron se të trija këto momentume kanë rëndësi dhe janë në dobi të arsimit dhe fëmijëve të Kosovës.

“Gjithsesi, është tejet zhgenjyese që partitë e lartëcekura kenë vendosur të distancohen nga vendimet e tyre që përkojnë me shkencën dhe civilizimin. Edhe më zhgënjyes e bën fakti që të gjithë janë të vetëdijshëm për krizën e thellë në të cilën gjendet sistemi arsimor i Kosovës, por duket se paturpësisht të njejtit kanë vendosur ta thellojnë edhe më tej këtë krizë”, bëhet e ditur në reagim.

Më tej thuhet se në një kohë kur mbi 40% e nxënësve në Kosovë raportojnë ngacmime dhe bullizëm të vazhdueshëm në shkolla, dhe prej 24% deri në 34% e nxënësve ndihen të kërcënuar prej ngacmimeve seksuale nga mësimdhënësit ose bashkëmoshatarët, është thelbësore që çështja e edukatës seksuale të trajtohet me profesionalizëm dhe integritet. Sipas organizatave ndërkombëtare kredibile, edukata seksuale ndihmon në uljen e dhunës dhe ngacmimeve seksuale dhe i pajis fëmijët me aftësitë e nevojshme për të mbrojtur veten dhe për të pasur qëndrime pozitive ndaj gjinisë dhe trupit të tyre.

“Dezinformimi publik, i cili pretendon se doracakët e edukatës seksuale krijojnë kushte për abuzim seksual të fëmijëve, është jo vetëm i pavërtetë, por gjithashtu dëmton rëndësinë e një edukate të shëndetshme dhe të sigurt për nxënësit. Edukata seksuale është krijuar për të ndihmuar nxënësit të mësojnë për kufijtë, respektin dhe për të ndërtuar marrëdhënie të shëndetshme, jo për të krijuar rreziqe”

“ROSCAP i kërkon të gjitha partive politike në Kosovë që të respektojnë dhe përkrahin politikat arsimore përtej ciklit elektoral dhe që të mos përdorin fëmijët dhe arsimin për përfitime të përkohshme politike. Distancimi i Ministrisë së Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (MAShTI) nga përgjegjësia për këtë nismë dëmton mirëqenien e fëmijëve dhe rëndësinë e përfshirjes së edukatës seksuale në sistemin arsimor të Kosovës, ndërsa vendimet e jashtëligjshme për ndalimin e përdorimit të doracakëve në shkolla nga disa Drejtori Komunale të Arsimit (DKA) krijojnë precedent të rrezikshëm dhe dëmtojnë skajshmërisht sistemin arsimor të Kosovës”, thuhet në reagim.

ROSCAP bën thirrje për një dialog të hapur, objektiv dhe të përgjegjshëm mbi edukatën seksuale dhe shëndetin riprodhues, larg qasjeve populliste dhe lojërave politike.

“Kërkojmë nga prindërit dhe komuniteti i gjerë të informohen drejt dhe objektivisht mbi temën, duke shmangur ndikimin nga manipulimet politike dhe titujt e rremë mediatik që po qarkullojnë këto ditë”.

“Arsimi në Kosovë duhet urgjentisht të shpallet urgjencë kombëtare, dhe politikat që e mbështesin atë duhet të jenë prioritet i cilësdo parti politike që fiton zgjedhjet e 9 shkurtit 2025. Përndryshe, nëse partitë politike nuk kanë kapacitetet për të përmirësuar cilësinë e arsimit, të paktën duhet të shmangin dëmtimin e mëtejshëm të këtij sektori jetik për Kosovën”./Telegrafi/

Kategoritë
LajmeLajmet KryesoreVendi