Virusi COVID-19 pati izoluar të gjithë botën në vitin 2019, e bashkë me të edhe Kosovën një vit më pas.
Që nga 13 marsi i 2020-ës për afro tri vite, qytetarët e Kosovës ishin të izoluar brenda shtëpive të tyre duke mos zhvilluar asnjërin nga aktivitetet apo punët e tyre.
Pas zvogëlimit të numrit të rasteve, qytetarët e Kosovës por edhe më gjerë iu kthyen normalitetit dhe angazhimeve të tyre.
Ditëve të fundit të njëjtit janë alarmuar me rritjen e numrit të rasteve të të infektuarve me Covid-19.
Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike në një përgjigje për lajmi.net ka thënë se brenda pesë ditëve nga data 14 gusht deri me 18 gusht kanë rezultuar gjithsej 177 persona pozitiv me Covid-19 nga 400 testime.
IKSHPK gjithashtu ka njoftuar se nga ky virus kanë ndërruar jetë dy persona të moshës 80 dhe 67 vjeçare por që sipas tyre kishin edhe sëmundje të tjera kronike.
Drejtori i Klinikës Infektive në QKUK, Arben Vishaj ka konsideruar se ky numër i rasteve nuk është alarmues pasi që situata është nën kontroll.
“Për momentin në Klinikën Infektive kemi mjaftueshëm oksigjeno-terapi, mjaftueshëm barna dhe staf mbështetës mjaftueshëm. Mendoj që nuk ka nevojë për ndonjë panikë, ne jemi duke e përcjellur me vëmendje situatën epidemiologjike dhe varësisht situatës do të veprojmë”, ka thënë ai në një video të publikuar nga SHSKUK.
Nga marsi i vitit 2020 deri më 17 shtator, 2023, koronavirusi ka prekur në Kosovë 274.105 persona, prej të cilëve 3.220 kanë vdekur, tregojnë të dhënat zyrtare.
Organizata Botërore e Shëndetësisë e ka shpallur sëmundjen COVID-19 emergjencë të shëndetit publik me shqetësim ndërkombëtar në janar të vitit 2020.
Sipas kësaj organizate, së paku 7 milionë njerëz kanë vdekur në pandemi, ndërsa janë konfirmuar më shumë se 765 milionë infeksione në mbarë botën.
Vaksinat kanë qenë një nga pikat kryesore të kthesës. Sipas OBSH-së, janë dhënë mbi 13 miliardë doza – çfarë ka mundësuar që shumë njerëz të mbrohen nga sëmundjet e rënda dhe vdekja./Lajmi.net/