Raportimet për “sanksione”, Policia e Kosovës: Vazhdojmë të kemi raporte dhe bashkëpunim të jashtëzakonshëm me ShBA-në

Policia e Kosovës ka reaguar pas raportimit të djeshëm në media se Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë “sanksionuar” këtë institucion, duke thënë se trajnimet nuk janë ndërprerë në asnjë periudhë kohore, dhe vazhdojnë të realizohen, e që ShBA-ja është përkrahësi kyç në ofrimin e këtyre trajnimeve në Policinë e Kosovës, shkruan Gazeta Online Reporteri.net.

Përmes komunikatës së lëshuar për media, Policia thotë se në periudhat 2022,2023 dhe 2024 janë realizuar 230 trajnime brenda dhe jashtë vendit.

“Policia e Kosovës (PK), me qëllim të informimit të drejt të opinionit dhe qytetarëve, njofton lidhur me planifikimet dhe angazhimet policore në fushën e trajnimeve dhe avancimeve profesionale, të cilat përfshijnë fusha të ndryshme policore. Në kuadër të Planit Zhvillimor Strategjik 2021-2025 një ndër objektivat e parapara është edhe ngritja e kapaciteteve të burimeve njerëzore, përmes realizimit të trajnimeve të ndryshme brenda dhe jashtë institucionit, përfshirë trajnimet e ofruara nga partnerë të ndryshëm vendor e ndërkombëtar, ndër ta edhe partnerët kryesor strategjik siç janë Shtetet e Bashkuara të Amerikës”.

“Policia e Kosovës, që nga themelimi i saj e deri më sot ka realizuar trajnime të niveleve të ndryshme, në bashkëpunim me partneret e saj brenda dhe jashtë Kosove, trajnime këto të cilat nuk janë ndërpre në asnjë periudhë kohore, e të cilat vazhdojnë të realizohen edhe më tej.

Një nga përkrahësit dhe parterët kyç në ofrimin e trajnimeve brenda Policisë së Kosovës por edhe të dërgimit të zyrtarëve për trajnim jashtë vendit, ka qenë dhe vazhdon të mbeten Shtetet e Bashkuara të Amerikës, të cilët gjatë periudhës kohore të viteve 2022-2023-2024, e deri me tani kanë realizuar mbi 250 trajnime brenda dhe jashtë vendit, ku kanë marrë pjesë mbi 2.300  pjesëmarrës nga Policia e Kosovës, përfshirë edhe njësitet elite të PK-së”, thuhet mes tjerash në komunikatën e policisë.

Sipas reagimit të tyre, Policia e Kosovës në vazhdimësi, e edhe këtë javë ka nominuar zyrtarë për pjesëmarrje në trajnime në ShBA, dhe se ka “raporte të jashtëzakonshme” me ShBA-në dhe ambasadën e tyre në Prishtinë.

Poashtu, Policia e Kosovës thotë se i marrin me seriozitet deklarimet që lidhen me Ambasadën Amerikane në fushën e sigurisë dhe janë në kontakt të vazhdueshëm, teksa shtojnë se Policia e Kosovës është e gatshme të procedojë gjithçka që është e nevojshme që keqkuptimet e mundshme të eliminohen.

“Trajnimet e ofruara nga SHBA-ja kryesisht janë realizuar nga agjencionet si; OPDAT, ICITAP, DEA, ILEA, FBI, QENDRA GEORGE MARSHALL, ATA, KFOR-i-në Amerikan, etj, trajnime këto në të cilat kanë qenë të përfshira edhe njësitet speciale të PK-se, ku në vitin 2024 ka pasur rritje të trajnimeve të ofruara nga SHBA-ja për këto njësi. Me kërkesë të SHBA-së për pjesëmarrje në trajnime në SHBA, PK-ja në vazhdimësi por edhe tani  këtë javë ka nominuar zyrtarët e saj për pjesëmarrje në trajnime në SHBA.

Policia e Kosovës, vazhdon të ketë bashkëpunim dhe raporte të jashtëzakonshme me SHBA-në dhe  Ambasadën Amerikane  të cilët në vazhdimësi kanë investuar shumë në Policinë e Kosovës me trajnime, me ekspertizë e po ashtu edhe me pajisje logjistike e të teknologjisë”, thuhet në reagimin.

Poashtu, Policia e Kosovës thotë se i marrin me seriozitet deklarimet që lidhen me Ambasadën Amerikane në fushën e sigurisë dhe janë në kontakt të vazhdueshëm, teksa shtojnë se Policia e Kosovës është e gatshme të procedojë gjithçka që është e nevojshme që keqkuptimet e mundshme të eliminohen.

“Po ashtu PK-ja deklarimet e Ambasadës Amerikane që ndërlidhen me fushën e sigurisë dhe institucionin e PK-së, i merr me shumë seriozitet dhe mban komunikim të vazhdueshëm me ta, për të sqaruar gjithçka që mund të  ketë sjellë deri tek ky perceptim edhe konstatim për PK-në.

PK-ja merr me shqetësim dhe është e gatshme të procedojë gjithçka që është e nevojshme që keqkuptimet e mundshme të eliminohen dhe të ruhet partneriteti ynë i jashtëzakonshëm me SHBA-të.

olicia e Kosovës, udhëhiqet nga parimet e llogaridhënies dhe transparencës andaj është e hapur dhe e gatshme që ti ofrojë opinionit të gjerë dhe mediave informacionet zyrtare dhe statistikat për trajnimet”, thuhet në reagimin e Policisë së Kosovës.

Pasditen e djeshme, RTV Dukagjini raportoi se Njësitë Speciale të Policisë së Kosovës për një kohë nuk do të jenë pjesë e trajnimeve ndërkombëtare të organizuara e mbështetura nga SHBA-ja.

Mediumi raportoi duke u thirrur në burime se krejt kjo është bërë si formë sanksionimi për veprimet e Qeverisë dhe Policisë në veri të Kosovës, kur mbylli komunat paralele serbe.

 

 

 

 

Kategoritë
LajmeLajmet KryesoreVendi