Komisioni Evropian ka publikuar të mërkurën Raportin për Kosovën për vitin 2023 (periudha qershor 2022 – qershor 2023). Në bazë të këtij raporti, deri më tani Kosova nuk ka ofruar ndonjë mbështetje financiare për viktimat të cilat janë konstatuar nga Gjykata Speciale se kanë vuajtur si pasojë e luftës dhe krimeve kundër njerëzimit.
Në këtë raport thuhet se nuk është e qartë se si do të kompensohen viktimat që kanë pësuar si pasojë e krimeve të luftës, mirëpo Kosova ka krijuar një fond për ndihmë juridike për të akuzuarit e DHSK-së si dhe mbështetje financiare për familjet e tyre. Në bazë të kësaj, Raporti i Progresit thekson se është kyçe që Kosova ta adresojë këtë pabarazi të trajtimit.
“Kosova ka krijuar një fond që u jep ndihmë juridike të akuzuarve në Dhomat e Specializuara të Kosovës, si dhe mbështetje financiare për familjet e tyre, pa prova për nevoja financiare. Megjithatë, deri më tani nuk është ofruar asnjë mbështetje financiare për viktimat të cilat janë konstatuar nga Dhomat e Specializuara të Kosovës se kanë vuajtur si pasojë e krimeve të luftës dhe krimeve kundër njerëzimit. Dhomat e Specializuara të Kosovës kanë lëshuar urdhrin e parë për dëmshpërblimin e viktimave. Prandaj nuk është e qartë se si do të kompensohen viktimat në mungesë të fondeve nga të akuzuarit ose një fondi nga Kosova për këtë qëllim. Është kyçe që Kosova ta adresojë këtë pabarazi të trajtimit”, thuhet në Raportin e Progresit.
Në raport thuhet se gjatë periudhës raportuese në Dhomat e Specializuara të Kosovës, përgatitjet paragjyqësore në dy raste kanë përfunduar dhe kanë filluar procedurat gjyqësore duke e përmendur çështjen ndaj Hashim Thaçit dhe të tjerëve.