Ramadan Latifi nga Prishtina, rrobaqepës për më shumë se gjysmë shekulli

Dikur, siç thotë ai, në qytet gjendeshin vetëm katër ngjyra të perit, e bardha, e zeza, hiri, kafe dhe e kuqe.

Rrobaqepësi nga Prishtina, Ramadan Latifi, për më shumë se gjysmë shekulli nuk i është ndarë zanatit të rrobaqepësisë. Ai ka një raport aq të natyrshëm me mjetet e punës që e rrethojnë, saqë edhe kur flet për përvojën e tij para kamerës, prek makinën e qepjes së rrobave apo drejton me duar pantallonat e ndonjë myshteriu, shkruan Anadolu.

Për mbi 60 vjet në zejen e rrobaqepësisë, 76-vjeçari, duke folur për rrugëtimin jetësor të tij, thotë se këtë zanat e zgjodhi ta mësonte me vetëdëshirë, që kur përfundoi shkollën fillore tetëvjeçare.

“Si e kam kryer klasën e tetë në shkollë fillore, në vitin 1962, menjëherë kam hyrë në këtë zanat. Vet e kam dashur, më ka pëlqyer, zanat më i lehtë, më i pastër dhe e kam vazhduar”, thotë ai.

Pas tre vjetësh në degën e zejtarisë së tekstilit në kuadër të shkollës ekonomike në Prishtinë, ai fillon punën si punëtor i thjesht tek një mjeshtër, ku punoi për nëntë vjet, para se të arrijë në zotërimin e të gjitha mësimeve praktike të njërit prej zanateve më të vjetra në botë.

“Atëherë ka qenë shumë më e vështirë të merresh me këtë zanat. Pothuajse 80 për qind e punës është punuar me dorë, nuk kemi pasur mjete, material të mjaftueshëm. Shumë gjëra kanë qenë mungesë, mirëpo mjeshtëria ka qenë në nivel dhe Prishtina ka pasur mjeshtër të fortë”, thotë ai.

Latifi thotë se kur filloi zanatin e rrobaqepësit, përdorej ende hekuri me qymyr për hekurosjen e rrobave, por pas një kohë të shkurtër mjeshtri i tij e solli për herë të parë një hekur nga Sllovenia që funksiononte me energji elektrike.

Dikur, siç thotë ai, në qytet gjendeshin vetëm katër ngjyra të perit, e bardha, e zeza, hiri, kafe dhe e kuqe, ndërsa për shumicën e materialeve thotë se furnizoheshin nga Shkupi.

Latifi thotë se vështirë që dikush nga pasardhësit e tij, të cilëve ua ka mësuar zanatin, do ta bëjnë si punë pasi ky ta ketë lënë.

“Djali e di zanatin, por përton sepse ka gjetur punë më të përshtatshme. Sepse jo vetëm zanatin tim, por çdo zanat që nuk e do, njeriu duhet të ikë nga ai. Ta kërkoj atë se për çfarë është. Edhe dy vajzat e mija e dinë zanatin fort mirë, të tjerët jo. Por nuk besoj që vazhdojnë me këtë zanat, ndërsa për ta ditur, e dinë”, thotë ai.

Lokali i tij në pjesën e qytetit të vjetër të Prishtinës, në afërsi të Xhamisë së Madhe dhe shkollës së mesme “Sami Frashëri”, është i njohur për të gjithë ata që kanë pasur ndonjëherë nevojë për rregullimin në rrobat e tyre.

Latifi thotë se zanatit të tij ia di vlerën edhe më shumë tani në pleqëri.

“Kam qenë i ri dhe nuk ja kam ditur vlerën sa po ja di tani këtij zanati. Sepse në moshën time njeriu duhet ta ketë një aktivitet. Ky është një zanat i lehtë, nëse të punojnë sytë, mund të punosh deri në sekondat e fundit. Madje, shpesh kam kolegë që vijnë këtu dhe thonë ‘lëre që ti e ke shpëtuar veten me këtë zanat, por na ke shpëtuar edhe ne’, sepse vijnë këtu, bisedojmë dhe ashtu kalon dita”, thotë Latifi.

Që nga koha e pandemisë, ai bashkëpunon me marka të njohura në nivel ndërkombëtar që funksionojnë edhe në Prishtinë, duke ua rregulluar defektet në rroba të cilat mund të prishen kur i provojnë blerësit.

Profesioni i rrobaqepësisë në Kosovë por edhe në Ballkan bashkë me disa prej veshjeve unike të popujve ballkanas u bë pjesë e identitetit dhe kulturave të popujve sidomos gjatë periudhës osmane. Sot, ky profesion po “lufton” për mbijetesë në mes të punës tradicionale dhe adoptimit me mënyrat moderne të punës.

Kategoritë
LajmeVendi