Rama: Pritja në Turqi është një vlerësim i jashtëzakonshëm për Shqipërinë

Në një emision televiziv në Shqipëri, Rama foli mbi pritjen nga presidenti Recep Tayyip Erdoğan, marrëveshjet mes dy vendeve dhe mbështetjen e Turqisë për Shqipërinë.

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka deklaruar se vizita dhe pritja zyrtare në Turqi është një vlerësim i jashtëzakonshëm për Shqipërinë, transmeton Anadolu Agency (AA).

Në një emision televiziv në Shqipëri, Rama foli mbi pritjen nga presidenti Recep Tayyip Erdoğan, marrëveshjet mes dy vendeve dhe mbështetjen e Turqisë për Shqipërinë.

Në lidhje me ceremoninë zyrtare të pritjes në Ankara, Rama tha se “Pritja ishte e jashtëzakonshme dhe mbresëlënëse. Është një nder dhe vlerësim i jashtëzakonshëm për atë që unë përfaqësoj, Shqipërinë dhe një shprehje miqësie dhe shprehje dëshire që këtë marrëdhënie strategjike që ne kemi me Turqinë ta çojmë përpara dhe ta konsolidojmë. Mendoj që ishte një vlerësim vërtet i lartë, por edhe një shprehje kuptimplotë e nivelit të marrëdhënieve mes Shqipërisë dhe Turqisë”.

Sa i përket marrëveshjeve mes dy vendeve, Rama tha se “marrëveshjet janë ato që janë nënshkruar, nuk ka të tjera”.

Kujtojmë se gjatë vizitës së kryeministrit Rama më 6-7 janar në Turqi, dy vendet nënshkruan deklaratën e përbashkët për Këshillin e Bashkëpunimit Strategjik të Nivelit të Lartë, marrëveshje të bashkëpunimit në fushën e mjekësisë, arsimit, infrastrukturës, si dhe protokollin e bashkëpunimit për restaurimin e Xhamisë së Plumbit në Shkodër dhe projektin e sistemit për mbrojtje nga vërshimet.

“Turqia ka investuar për kthimin e shkëlqimit të xhamive që janë trashëgimi kulturore e Shqipërisë”

Për projektin e spitalit rajonal të Fierit ai tha se do të mbulojë jo vetëm qytetin e Fierit, por gjerësisht pjesën e jugut të Shqipërisë. Sipas kryeministrit Rama, ky spital do të ketë të gjitha shërbimet që duhet.

Ndërtimin e një spitali në Shqipëri e premtoi presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan, gjatë vizitës së kryeministrit Rama në Turqi, i cili pasi të përfundojë, do të administrohet në çdo pavijon prej ekspertëve e mjekëve turq për një periudhë tranzitore, deri në kalimin e kompetencave tek drejtuesit shqiptarë.

Në lidhje me restaurimin e pesë monumenteve të periudhës osmane nga Agjencia Turke për Bashkëpunim dhe Zhvillim (TIKA), Rama tha se “Presidenti i Turqisë dhe Turqia përmes agjencisë së vet TIKA në Shqipëri kanë investuar për shpëtimin, restaurimin dhe kthimin e shkëlqimit të xhamive që janë trashëgimi kulturore e Republikës së Shqipërisë”.

Kryeministri Rama foli edhe mbi përpjekjet për bisedimet mes Turqisë dhe Greqisë për çështjet e hapura, duke theksuar se:

“Unë thjesht kam privilegjin që të gjendem mes dy miqve dhe në atë hapësirë them fjalën time për një çështje shumë të madhe dhe të nxehtë mes tyre. Unë nuk dua të bëj komente për këtë çështje sepse nuk është etike. Di të ju them kaq, që pas pesë vitesh që nuk uleshin për të filluar bisedimet eksploratore ky proces u zhbllokua dhe do të shkojë pala greke në Stamboll”.

Kategoritë
LajmeRajoni