Rama për vaksinën kundër COVID-19: Jemi në komunikim të vazhdueshëm me Pfizer

Në konferencën e përjavshme për mediat, kryeministri Rama ka folur mbi procesin e vaksinimit kundër kornavirusit të ri (COVID-19), problematikat me kompaninë Pfizer, sektorin e bujqësisë dhe çështje të tjera.

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, në konferencën e përjavshme për mediat me temë “Ekonomia në fokus”, ka folur mbi procesin e vaksinimit kundër koronavirusit të ri (COVID-19), problematikat me kompaninë Pfizer, sektorin e bujqësisë dhe çështje të tjera, raporton Anadolu Agency (AA).

Kryeministri Rama theksoi se është bërë llogaritja që mos të ketë asnjë që të humbë procesin e vaksinimit.

Në lidhje me problematikat e prodhimit dhe shpërndarjes së vaksinave nga kompania Pfizer, Rama tha se “Pfizer ka një problem të madh aktualisht me gjitha vendet. Italia ka kërcënuar me proces gjyqësor për shkak se i janë bllokuar, jo vetëm Italisë por shumë vendeve u janë bllokuar ato dozat e premtuara. Faktikisht ne jemi në kontakt 7 herë në ditë për të bërë të mundur që ata të respektojnë kontratën me ne dhe të na sjellin pjesën e parë të dozave. Ne nuk jemi vetëm në dorë të Pfizer, jemi duke negociuar dhe jemi shumë përpara me negociatat me AstraZeneca”

Kujtojmë se Shqipëria filloi zyrtarisht më 11 janar fushatën e vaksinimit kundër COVID-19, fillimisht me personelin shëndetësor. Më 18 janar, Kuvendi i Shqipërisë miratoi aktin normativ për miratimin e marrëveshjes mes Shqipërisë dhe kompanisë Pfizer për furnizimin me vaksinën kundër COVID-19.

“Shqipëria nuk është mbrapa askujt. Shqiptarëve nuk do t’u mungojë kujdesi për të dalë sa më parë nga kjo flamë, nga kjo fazë kaq e vështirë e luftës me COVID-19. Jemi në komunikim të vazhdueshëm me Pfizer dhe shpresoj që edhe Pfizer të lëshojë një pjesë të paktën të dozave që ka premtuar dhe unë besoj që në 10 ditë-dy javët e ardhshme do të kemi stabilitet dhe do kemi një qartësi”, theksoi më tej Rama.

“Përmbytjet e tokave janë minimale në raport me të shkuarën”

Duke u ndalur tek fokusi i konferencës, sektori i bujqësisë, Rama tha se në situatën për këtë sektor ka shumë për të përmirësuar.

“Unë dua të përqendrohem në një rezultat që besoj i shpjegon të gjitha. Kur ne kemi nisur këtë rrugë Shqipëria importonte shtatë dhe eksportonte 1, pra ishte 7 me 1 raporti import-eksport për sa i përket prodhimeve bujqësore. Sot është 3 me 1, pra ekspertojmë 1, importojmë 3, që do të thotë se gjysma e asaj që importohej më parë është zëvendësuar me atë që prodhohet në vend. Natyrisht kjo tregon që kemi një rritje të konsiderueshme të prodhimit në vend, siç kemi në shifrat e eksportit një rritje si asnjëherë më parë”, theksoi Rama.

Në lidhje me problemet e shkaktuara në bujqësi nga reshjet e shiut në javët e fundit, ai tha se kanë bërë bilancin për fazën më kritike, dhe sipas tij “tani jemi në një fazë më pak kritike”.

“Sa i përket përmbytjeve të tokave ata janë minimale për momentin, gjithmonë kuptohet në raport çfarë kemi parë me të shkuarën ose edhe në raport me vetë intensitetin e reshjeve për shkak se është punuar shumë për hapjen e kanaleve kulluese”, theksoi Rama.

Rama në lidhje me përgjimet e antimafias italiane

Në lidhje me publikimin e përgjimeve të antimafias italiane, ku sipas disa mediave në Shqipëri përmenden emrat e zyrtarëve shqiptarë, Rama tha se “Në këtë rast ka folur qartësisht duke dhënë konkluzion grupi hetimor italian. Nuk ka asnjë fakt, asnjë lidhje, nuk ka asnjë provë, nuk ka asgjë dhe këtu ngrihet një tymnajë që është e neveritshme”.

Në disa media në Shqipëri në ditët e fundit është pretenduar se sipërmarrësit italianë nën hetim flasin për kontakte të afërta me zyrtarë shqiptarë se mund të realizojnë investime në Shqipëri.

Sipas përgjimeve që janë publikuar në media, disa sipërmarrës italianë që dyshohen për lidhje me mafian italiane apo edhe zyrtarë italianë komunikojnë mes tyre për investime në Shqipëri, kryesisht në fushën e shëndetësisë dhe ndërtimit, ku “theksohet se sa lehtë mund të merren leje ndërtimi në Tiranë, përmes njohjeve me biznesmenë”.

Kategoritë
LajmeRajoni