Rama: Kontrata me “Pfizer”, e mbrojtur nga sekreti tregtar

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, në një konferencë për mediat tha se kontrata me kompaninë “Pfizer” për vaksinën kundër koronavirusit të ri (COVID-19) nuk bëhet publike, sipas tij, për shkak të sekretit tregtar.

Konferenca me temë “Ekonomi në fokus” kishte në fokus sistemin e taksave dhe administrimin fiskal, ndërkohë, kryeministri Rama u ndal edhe në çështjen e marrëveshjes me kompaninë “Pfizer”.

Duke iu përgjigjur pyetjeve rreth mospublikimit të marrëveshjes me kompaninë “Pfizer”, Rama theksoi se as në vendet e tjera kontrata për vaksinën me këtë kompani nuk është bërë publike.

Kontrata me Pfizer është e mbrojtur në gjithë botën nga sekreti tregtar, nuk bëhet publike përtej dëshirës sime. Sekreti që mbulon kontratën me Pfizer në Shqipëri dhe kudo me të gjitha vendet që Pfizer ka marrëdhënie, nuk lidhet me çmimin, çmimi është fiks, por lidhet me modalitetet e çdo kontrate. Asnjë kontratë e Pfizer në asnjë vend, as në Gjermani, as në Francë, as në Itali, as kudo qoftë, nuk është publike”, theksoi Rama.

Më 18 janar, Kuvendi i Shqipërisë miratoi aktin normativ për miratimin e marrëveshjes mes Shqipërisë dhe kompanisë Pfizer për furnizimin me vaksinën kundër COVID-19.

Kujtojmë se Shqipëria filloi zyrtarisht më 11 janar fushatën e vaksinimit kundër COVID-19, fillimisht me personelin shëndetësor. Sipas autoriteteve shqiptare, Qeveria e Shqipërisë ka siguruar vaksinën për 800 mijë qytetarë, nëpërmjet kontratës me Pfizer dhe mekanizmit COVAX.

Kategoritë
LajmeRajoni