Qeveria e Republikës së Kosovës sot ka ndarë një shumë prej 4 milionë eurosh për sigurimin e pagave të minatorëve.
Kujtojmë se këta të fundit kishin pothuajse 3 muaj punë pa pagesë, gjë e cila rezultoi me paralajmërim për një protestë e cila do të ndodhte ditën e nesërme.
Mirëpo, pas ndarjes së shumës për pagesë, Sindikata e Pavarur e Minatorëve ka reaguar në një postim në llogarinë Facebook duke thënë se tërhiqen nga protesta e cila do të ndodhte nesër.
“Nisur nga fakti se diten e djeshme kemi njoftuar se do të mbajmë një protestë pran Qeverisë së Republikës së Kosovës, me qëllimin e vetem që të kërkojm ekzekutimin e pagave të papaguara, e duke pasur parasyshe reflektimin e qeverisë, ne tërhiqemi nga protesta e cila do të ndodhte nesër”, thuhet në njoftim.
Duke thënë se përveç kushteve për punë e pagave dinjitoze minatorët nuk kanë kërkuar asgjë, në postim kërkohet edhe kthimi i minatorëve në punë.
“Minatorët nuk kan kërkuar dhe nuk kërkojnë asgje tjeter, përveq kushte për punë dhe paga dinjitoze. Përkushtimi ynë për punë në minierë është dhe do të mbetet përher i palëkundur. Prandaj lusim të gjithë minatorëve ti kthehen punës”.