Pse raketat amerikane dhe izraelite për interceptim janë të shtrenjta dhe konsumohen më shpejt sesa prodhohen?

Sulmet izraelito-amerikane ndaj Iranit dhe kundërpërgjigjet e programit raketor iranian ndaj bazave amerikane në vendet e Gjirit kanë zbrazur ndjeshëm rezervat e raketave për interceptim, të cilat konsumohen shumë shpejt, ndërsa prodhimi i tyre është i kushtueshëm dhe i ngadaltë.

Pas tre ditëve të para të luftës që SHBA dhe Izraeli vazhdojnë kundër Iranit, sistemet e mbrojtjes ajrore në vendet e Gjirit përdorën madje edhe raketa të prodhuara në fillim të viteve 2000.

Fotografitë e mbetjeve pas interceptimeve, ku shihen raketa amerikane të sistemit Patriot të prodhuara në vitin 2002, kanë rikthyer në vëmendje pyetjen mbi thellësinë e rezervave të këtyre raketave në vendet e Gjirit, Izrael dhe SHBA, si dhe matematikën e luftës kundër raketave iraniane.

Sipas të dhënave të “Foreign Policy”, vendet e Gjirit në 15 ditët e para të luftës kanë lëshuar mes 1.900 dhe 3.000 raketa interceptuese. Vlerësimet tregojnë se kostoja totale e reagimit ndaj mbi 2.000 dronëve dhe raketave balistike e lundruese arrin rreth 5 miliardë dollarë.

Edhe SHBA përballet me një situatë të ngjashme. Sipas një raporti të Kongresit, vetëm në gjashtë ditët e para të operacionit “Epic Fury”, forcat amerikane kanë lëshuar 495 raketa interceptuese, me një kosto mbi 5.4 miliardë dollarë.

Në mbrojtje kundër dronëve rol kyç kanë pasur avionët luftarakë dhe helikopterët sulmues, ndërsa sistemet si THAAD dhe Patriot MSE janë përdorur kryesisht kundër raketave balistike.

Konsum i lartë, prodhim i pamjaftueshëm

Lufta Izrael-Iran tregoi se konsumi amerikan i raketave interceptuese tejkalon kapacitetin e prodhimit. Për shembull, gjatë gjashtë ditëve të operacionit “Epic Fury”, shkatërruesit amerikanë lëshuan 83 raketa SM-3, ndërsa prodhimi vjetor i tyre është rreth 60 copë.

Pas luftës 12-ditore, rezervat amerikane arritën në nivele kritike. Raketat SM-3 kushtojnë nga 15 deri në 36 milionë dollarë secila dhe prodhimi i tyre është i kufizuar.

Situatë e ngjashme vlen edhe për sistemin Patriot. Pas dërgesave në Ukrainë dhe përdorimit në Izrael, kompania Lockheed Martin njoftoi rritjen e prodhimit nga 500 në 650 raketa në vit. Vetëm në tre ditë, sipas deklaratave, janë përdorur mbi 800 raketa Patriot.

Arsyet janë të shumta: pas Luftës së Ftohtë, industria amerikane nuk ka më porosi masive, prodhimi është më i ngadalshëm dhe më i shtrenjtë për shkak të outsourcing-ut.

Ndërkohë, për Izraelin nuk ka të dhëna të sakta për numrin e raketave të përdorura për shkak të kontrollit të rreptë të informacionit.

Prodhim kompleks dhe i gjatë

Raketat balistike iraniane janë teknologjikisht më të thjeshta se raketat interceptuese. Për të kapur një raketë balistike, interceptuesit amerikanë dhe izraelitë përdorin sensorë elektro-optikë, radarë aktivë dhe teknologji shumë të avancuar, që rrit ndjeshëm koston.

Çdo raketë duhet të dallojë objektivin real nga mashtrimet dhe fragmentet, duke përdorur çipa dhe sisteme të sofistikuara që funksionojnë në sekonda dhe me shpejtësi hipersonike.

Gjithashtu, ato operojnë në kushte ekstreme – mbi 8 Mach dhe në lartësi mbi 100 km – çka kërkon materiale speciale rezistente ndaj nxehtësisë dhe manovrave të forta.

Ndryshe nga SHBA, Irani prodhon raketa pa procedura të gjata dhe kufizime burokratike. Në SHBA, proceset e tenderimit dhe ndikimi i kompleksit ushtarako-industrial e bëjnë prodhimin më të ngadaltë dhe më të shtrenjtë.

Pavarësisht rezultatit të konfliktit, është e qartë se rindërtimi i rezervave të raketave do të jetë një proces i gjatë dhe një biznes shumë fitimprurës për industrinë ushtarake.

Kategoritë
BotaLajme