PSD me aksion thotë se “rrugëtimi i Kurtit në veri çon në izolim ose autonomi”

Partia Socialdemokrate ka mbajtur një aksion simbolik para Urës së Ibrit në Mitrovicë, raporton Ekonomia Online.

Në këtë aksion, anëtarët e PSD-së e kanë prezantuar një pankartë, të cilën e kanë titulluar “Rrugëtimi i Kurtit” e që në të shkruhen edhe veprimet e ndërmarra nga Qeveria e Kosovës.

Në pankartë, sipas PSD-së, veprimet e Kurtit të ndërmarra në veri do të çojnë ose në izolim të Kosovës ose në autonomi të veriut.

PSD-ja përmendi dërgimin e parë të njësive special në veri, ndalimin e referundimit të Serbisë, ndalimin e zgjedhjeve të Serbisë, gjobat për targa ilegale, dorëheqjen e serbëve nga institucionet, vendimin e kuvendit komunal të Mitrovicës së Veriut për hapjen e Urës së Ibrit.

Po ashtu në pankartë u përmend edhe dërgimi me polici të kryetarëve në komunat veriore, mbylljen e strukturave paralele në Dragash, Prizren, Suharekë e Rahovec, vendimin për dinarin, mbylljen e strukturave paralele në veri e tentimin për hapjen e Urës së Ibrit.

“Kushdo që në Kosovë ka thënë se ura duhet të hapet në koordinim, këta (LVV) e kanë cilësuar bashkëpunëtor të Vuçiqit. Sipas kritereve të tyre, kryeministri Kurti dhe ministri Sveçla janë bashkëpunëtorë të Vuçiqit, por jo sipas kritereve tona. Ne besojmë se ky është diskutim i kot. Ura mund dhe nuk mund të hapet, vendimin për këtë e kemi të qartë – atë e ka KFOR-i dhe QUINT-i përmes rezolutës 1244. Prandaj, këto janë çështje të parëndësishme, rruga ku po na çon është e rëndësishme”, ka thënë Molliqaj.

Kategoritë
LajmeLajmet KryesoreVendi