Programi i armatimit A po blen Kroacia Bayraktarët turq?

Kroacia është një nga vendet e para në rajon që ka përdorur dronët për qëllime luftarake, megjithatë sot përdor ekskluzivisht dronë për vëzhgim.

Sipas mediave në Kroaci, Ministria e Mbrojtjes e Republikës së Kroacisë po përgatit blerjen e dronëve.

Në mars të vitit 2023, delegacionet e Ministrisë së Mbrojtjes të RH, të udhëhequra nga ministri i atëhershëm Mario Banožić, vizituan kompaninë turke Baykar. Deri atëherë, nuk ishin prezantuar në publik ndonjë aspiratë e Kroacisë për të blerë dronë nga Turqia.

Në anën tjetër, në mes të konfliktit politik mes kryeministrit Andrej Plenković dhe presidentit Zoran Milanović, presidenti kroat akuzoi kryeministrin se po blen “dronë të panevojshëm turq prej 100 milionë dollarësh.”

Nga ana tjetër, ministri i mbrojtjes Ivan Anušić konfirmoi se Kroacia po ecën drejt blerjes së dronëve. “Megjithëse e kemi shkurtuar afatin nga viti 2030 në vitin 2027, pas fillimit të proceseve të blerjes së Himars, dronëve dhe tani të Leopardëve, do të arrijmë dy për qind të PBB-së për mbrojtjen shumë para vitit 2027,” deklaroi Anušić.

Dronët turq, izraelitë ose amerikanë

Megjithëse publiku, për shkak të popullaritetit të madh që kanë dronët turq, fokusohet kryesisht te këto platforma, sipas mediave kroate, dyert janë të hapura edhe për zgjidhje amerikane dhe izraelite.

Forcat Kroate aktualisht përdorin dronët izraelitë të vëzhgimit Orbiter 3B dhe kanë marrëdhënie jashtëzakonisht të zhvilluara me Izraelin në fushën e shkëmbimit të teknologjisë ushtarake. Në kategorinë e dronëve luftarakë të përmasave dhe performancave të mesme, Izraeli mund të ofrojë disa platforma si droni Hermes 900.

Gjithashtu, niveli i bashkëpunimit bilateral të mbrojtjes midis Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Kroacisë është në nivel të lartë. Blerja dhe riparimi i mjeteve të këmbësorisë Bradley, si dhe blerja e helikopterëve të lehtë për vëzhgim Kiowa Warrior, kanë forcuar më tej bashkëpunimin.

Në kategorinë e dronëve të nevojshëm për Forcat Kroate, kompanitë amerikane mund të ofrojnë platforma të ndryshme, kryesisht platformën MQ-9 Reaper.

Përvoja e përdorimit të dronëve

Kroacia është pionier i qartë në përdorimin ushtarak të dronëve në rajonin e Evropës Juglindore, pasi Ushtria Kroate ka përdorur dronë gjatë Luftës për Pavarësi. Gjatë asaj periudhe, Ushtria Kroate përdorte dronin M-99 Bojnik të prodhuar në mënyrë të pavarur.

 

Kategoritë
LajmeRajoni