Politologu Albinot Maloku ka komentuar idenë e kryetarit të LDK-së, Lumir Abdixhiku për një qeveri nacionale të tranzicionit.
Ai ka thënë se Republika e Kosovës nuk ka nevojë për një qeveri nacionale të tranzicionit.
“Kjo ide nuk gjen arsyetim në realitetin aktual politik dhe institucional të vendit. Nuk jemi përballë ndonjë krize të jashtëzakonshme që do të kërkonte një zgjidhje të tillë jashtë normës demokratike. Përkundrazi, vendit i duhet vazhdimësi kushtetuese dhe funksionalitet institucional, jo eksperimente politike që vetëm sa do të shtynin paqartësinë dhe do të cenonin rendin demokratik. Mirëpo, Lidhja Demokratike e Kosovës po dëshmon një pjekuri të re politike. Me një qasje gjithnjë e më të qartë të identitetit të saj politik dhe për distancim nga qëndrimet ambigue të së kaluarës. LDK po tenton ta rifitojë pozicionin e saj si një subjekt serioz i cili ‘Po’ e ka po e ‘Jo’ e ka jo në skenën politike. Qëndrimi i saj në opozitë dhe kthimi i krerëve të saj tek sinergjit e reja do ta përgatiste një LDK të fortë për të ardhmen”, ka thënë Maloku, raporton “Epoka e re”.
Ai ka thënë se në anën tjetër, populli foli qartë më 9 shkurt: “ai kërkon qeverisje të përgjegjshme, jo sundim, qoftë një partiak ose gjithëpartiak. Në këtë kontekst, fituesi i zgjedhjeve duhet të ecë përpara dhe të ndërtojë një qeveri, duke u bazuar në vullnetin qytetar dhe jo në kalkulime artificiale. Është Nisma Socialdemokrate, përmes qëndrimit të saj të matur dhe konstruktiv, e cila ka treguar gatishmëri për bashkëpunim, dhe është pikërisht kjo forcë politike që i jep fuqi rrugës së ndërtimit të një koalicioni qeverisës”, ka deklaruar Maloku
Prandaj, sipas tij, Lëvizja Vetëvendosje duhet ta ftojë me respekt Nismën në partneritet qeverisës, duke i besuar përgjegjësi të rëndësishme si kryetarin e Kuvendit dhe pjesëmarrjen e merituar në ekzekutiv. “Ky koalicioni mund të sigurojë një qeverisje që respekton demokracinë”, ka thënë Maloku.