Incident në Danimarkë: Anija ruse lëshoi mjete mashtruese drejt helikopterit ushtarak, ambasadori thirret për sqarime

Një anije ruse lëshoi mjete mashtruese drejt një helikopteri ushtarak danez pranë bregdetit jugor të Danimarkës të hënën, duke shkaktuar alarm në Kopenhagë, shkruan Politico.

“Një fregatë ruse lëshoi dy mjete mashtruese drejt helikopterit. Njëri prej tyre kaloi në një distancë të vogël nga helikopteri”, njoftuan Forcat e Armatosura të Danimarkës të hënën në mbrëmje.

Vendet evropiane e akuzojnë Moskën se po zhvillon një fushatë të ashtuquajtur të luftës hibride, me synimin për të destabilizuar kontinentin, ndërkohë që vazhdon pushtimin në shkallë të gjerë të Ukrainës. Megjithatë, kryeqytetet evropiane dhe NATO-ja tregohen të kujdesshme ndaj një përgjigjeje që mund të çojë në përshkallëzimin e konfliktit me Rusinë.

“Ky incident është pjesë e një modeli që po e shohim në të gjithë Evropën”, paralajmëroi të martën kryeministrja daneze Mette Frederiksen.

Ajo deklaroi se një Rusi “gjithnjë e më agresive dhe më e vendosur” e ka intensifikuar luftën hibride kundër Evropës.

“Kjo përbën një test dhe sfidë për NATO-n. Rusia dëshiron të frikësojë dhe të mbjellë përçarje. Përgjigjja jonë është të jemi edhe më të bashkuar dhe të forcojmë mbrojtjen e Danimarkës dhe të Evropës”, shtoi Frederiksen.

Danimarka do ta thërrasë ambasadorin rus për të kërkuar shpjegime rreth veprimeve të ekuipazhit të anijes, njoftoi të martën një zyrtar i lartë në Kopenhagë.

“Forcat e Armatosura raportuan se drejt njërit prej helikopterëve të Forcave Ajrore u lëshuan mjete të ashtuquajtura mashtruese, gjatë fotografimit rutinë të fregatës ruse në ujërat pranë Gedserit. Kjo është plotësisht e papranueshme. Për këtë arsye, ambasadori rus është thirrur për bisedë lidhur me incidentin”, deklaroi ministri danez i Punëve të Jashtme, Lars Løkke Rasmussen.

Kategoritë
BotaLajme