Në Strasburg nis sot seanca plenare e Parlamentit Evropian, e cila do të zgjasë deri më 17 shtator, ndërsa nesër eurodeputetët do të debatojnë për varrimin e kriminelit të dënuar të luftës Ratko Mladiq dhe glorifikimin e kriminelëve të luftës në Serbi.
Sipas informacioneve të publikuara në faqen zyrtare të Parlamentit Evropian, debati për këtë çështje është parashikuar të zhvillohet nga ora 14:45 deri në 15:00.
Debati u caktua pasi një numër eurodeputetësh dënuan publikisht dhe drejtpërdrejt organizimin e varrimit të Mladiqit, i cili ishte dënuar për gjenocidin në Srebrenicë dhe krime të tjera lufte.
Në reagimet e tyre, eurodeputetët kanë ngritur gjithashtu çështjen e rolit të autoriteteve në Serbi në organizimin e varrimit të Mladiqit.
Organizimi i ceremonisë është kritikuar edhe nga grupe parlamentare që përbëjnë shumicën në Parlamentin Evropian, përfshirë Partinë Popullore Evropiane (EPP), ndonëse Partia Përparimtare Serbe (SNS) në pushtet është pjesë e kësaj familjeje politike evropiane.
Përveç varrimit, eurodeputetët dhe grupet e tyre parlamentare kanë kritikuar Serbinë edhe për glorifikimin e kriminelëve të luftës dhe u kanë kërkuar zyrtarëve të BE-së masa konkrete ndaj Beogradit, përfshirë mundësinë e ngrirjes së negociatave për anëtarësimin e Serbisë në Bashkimin Evropian.
Megjithatë, Parlamenti Evropian ka kompetenca të kufizuara në këtë aspekt të sistemit politik të BE-së, ndërsa një rol kyç në procesin e zgjerimit dhe në zbatimin e politikave të Unionit i takon institucioneve të tjera të BE-së, përfshirë Komisionin Evropian.



















