Aleanca bërthamore evropiane: Finlanda bëhet anëtarja e dhjetë nën ombrellën bërthamore franceze

Finlanda ka njoftuar se do t’i bashkohet sistemit francez të zgjeruar të parandalimit bërthamor, në kuadër të partneritetit të ri strategjik që Parisi dhe Helsinki do ta nënshkruajnë në shtator të vitit 2026.

Të dyja vendet njoftuan se gjatë muajve të ardhshëm do të krijojnë një grup drejtues për çështjet bërthamore, me qëllim që të fillojnë zbatimin e këtij bashkëpunimi.

Me këtë vendim, Finlanda bëhet partnerja e dhjetë evropiane në nismën e ndërmarrë në fillim të këtij viti nga presidenti francez Emmanuel Macron.

Franca është i vetmi shtet anëtar i Bashkimit Evropian që zotëron armë bërthamore dhe njëri nga dy shtetet evropiane me një arsenal të tillë, së bashku me Mbretërinë e Bashkuar.

Modeli i parandalimit të “zgjeruar” parashikon përfshirjen e vendeve të tjera evropiane përmes stërvitjeve dhe konsultimeve strategjike, por pa vendimmarrje të përbashkët për vendimet përfundimtare.

Presidenti finlandez Alexander Stubb deklaroi në një konferencë për media në Helsinki:

“Kjo do të thotë se po e diversifikojmë mbrojtjen dhe kapacitetin tonë parandalues.”

Ai shtoi se ombrella kryesore bërthamore e Finlandës vazhdon të jetë NATO-ja, përkatësisht në radhë të parë Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ndërsa ky bashkëpunim sjell vlerë shtesë për planifikimin finlandez të mbrojtjes.

“Në kohë paqeje, asnjë armë bërthamore nuk do të vendoset në territorin e Finlandës”, deklaroi Stubb.

Njoftimi lidhet me partneritetin e ri strategjik ndërmjet Francës dhe Finlandës, i cili pritet të nënshkruhet në Helsinki nga ministrat e Jashtëm të të dyja vendeve.

Macroni përditësoi në fillim të marsit doktrinën franceze të parandalimit bërthamor. Nismës iu bashkuan më herët Mbretëria e Bashkuar, Gjermania, Polonia, Holanda, Belgjika, Greqia, Suedia dhe Danimarka, ndërsa në muajin maj iu bashkua edhe Norvegjia.

Parlamenti finlandez miratoi në qershor një ligj të ri, me të cilin u hoq ndalimi i plotë i armëve bërthamore në vend. Franca njoftoi gjithashtu gjatë kësaj vere se do të kontribuojë në forcat tokësore të NATO-s në Finlandë, të cilat janë nën komandën suedeze dhe synojnë forcimin e kapaciteteve parandaluese të Aleancës përballë kërcënimit rus.

Kategoritë
BotaLajme