Përfundon protesta e PD-së në Shkodër, kërkohet lirimi i Sali Berishës e qeveri teknike

Opozita zgjodhi një marshim protestë përgjatë qytetit të Shkodrës, si aksionin e tretë të asaj që e quan ‘mosbindje civile’. Me një pankartë të madhe në duar ku shkruhej “Qytetërimi është më i fortë se krimi! Po na vrasin duhet reagim!“ mesditën e sotme deputetët e PD-së prinë një grup militantësh dhe protestuesish të cilit në fillim u vendosën në sheshin para bashkisë dhe më pas vijuan në heshtje marshimin përgjatë pedonales ‘Koli Idromeno’ më pas u kthye sërish në sheshin përpara bashkisë.

Kreu i grupit parlamentar të PD-së tha se qytetarët duhet të kundërshtojnë dhe protestojnë kundër lidhjeve të forta të politikës me krimin.

Ky është një organizim qytetar dhe secili prej nesh pavarësisht pozicioneve politike që kemi, jemi këtu si qytetar për të shprehur mosdakordësinë, mosnënshtrimin tonë ndaj pushtetit që krimi i organizuar ka marrë në Shkodër dhe në të gjithë Shqipërinë. Ngjarja ishte e paralajmëruar, mund të ishte parandaluar. Është një ngjarje e rëndë që krijon terror për qytetarët. Pushteti që krimi i organizuar ka marrë në Shkodër për shkak të lidhjeve të forta me politikën dhe qeverisjen, është një fenomen që duhet të kundërshtohet” tha Bardhi.

Marshimi protestë u organizua në kryeqendrën e veriut, aty ku tre ditë më parë u trondit nga një atentat me 3 të vrarë.

“Shkodra e gjithë Shqipëria duhet të çohet ndaj të gjithë atyre njerëzve që i kanë marrë fytyrën jashtë dhe brenda po marrin jetë’, tha deputeti i PD-së, Tomor Alizoti.

Për pak minuta u ndalën edhe para institucionit të prefekturës. Marshimi ishte konceptuar në heshtje, por deputetët demokratët përcillinin mesazhet e këtij manifesti kur gazetarët u drejtonin mikrofonin. Nuk harruan as kauzën që fshihet pas asaj që ata e quajnë mosbindje civile: Krijimi i qeverisë teknike dhe lirimi i Sali Berishës.

“Domosdoshmëria për qeveri teknike është faktike. Zgjedhjet politikë dhe bashkinë i mori me anë të krimit. Do të vijojmë të kërkojmë qeveri teknike, dhënie liri të liderit të opozitës dhe kthimin e Shkodrës qytetarëve dhe jo bandave e krimit” tha Luçiano Boçi.

Kategoritë
LajmeLajmet KryesoreVendi