Pendarovski priti në takim ministrin e Mbrojtjes së Shqipërisë, Niko Peleshi

Sipas njoftimit të kabinetit të presidentit, në takim u bisedua për avancimin e bashkëpunimit mbrojtës bilateral mes Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë, që thuhet se është në nivel të kënaqshëm

Presidenti i Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski ka pritur në takim ministrin e Mbrojtjes së Shqipërisë, Niko Peleshi, i cili po realizon vizitë zyrtare në vend, transmeton Anadolu Agency (AA).

Sipas njoftimit të kabinetit të presidentit, në takim u bisedua për avancimin e bashkëpunimit mbrojtës bilateral mes Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë, që thuhet se është në nivel të kënaqshëm, me ç’rast u shprehën pritjet për forcimin e këtij bashkëpunimi, përmes dialogut të hapur dhe konstruktiv për çështjet me interes të ndërsjellë.

“Në kontekst të bashkëpunimit në NATO si dy anëtare të plotëfuqishme dhe fqinj, bashkëfolësit konstatuan se harmonizimi i qëndrimeve mes dy shteteve është i mirë dhe shprehën pritje që kjo të vazhdojë edhe në të ardhmen”, thuhet në njoftim.

Theksohet se në takim është biseduar edhe për gjendjen aktuale lidhur me integrimet evropiane të Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë dhe u shkëmbyen mendime dhe informacione për pritjet në të dyja shtetet në vigjilje të takimeve të Bashkimit Evropian deri në fund të këtij viti.

“Presidenti Pendarovski dhe ministri Peleshi u përqendruan edhe në bashkëpunimin në kuadër të nismave rajonale, në drejtim të promovimit dhe avancimit të stabilitetit dhe sigurisë rajonale”, thuhet në njoftim.

Kategoritë
LajmeRajoni