“Partneriteti strategjik Shqipëri-Turqi, platformë e rëndësishme e përpjekjeve për sigurinë”

Meta-Şentop u takuan në selinë e Presidencës së Shqipërisë, ndërkohë në fokus të bisedimeve të tyre ishin çështjet për marrëdhëniet mes dy vendeve, ndihma e Turqisë për ndërtimin e banesave për familjet e prekura nga tërmeti dhe çështje të tjera

Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta, priti në një takim kryetarin e Asamblesë së Madhe Kombëtare të Turqisë (TBMM), Mustafa Şentop, i cili po qëndron për një vizitë zyrtare dyditore në Shqipëri, transmeton Anadolu Agency(AA).

Takimi Meta-Şentop është realizuar në selinë e Presidencës së Shqipërisë, ndërkohë në fokus të bisedimeve të tyre ishin çështjet për marrëdhëniet mes dy vendeve, ndihma e Turqisë për ndërtimin e banesave për familjet e prekura nga tërmeti i nëntorit të vitit 2019 dhe çështje të tjera.

Sipas njoftimit nga Presidenca e Shqipërisë, duke vlerësuar marrëdhëniet tradicionale të shkëlqyera mes dy vendeve e popujve dhe pasi nënvizoi rëndësinë e zhvillimit të mëtejshëm të tyre në të ardhmen, Meta theksoi nevojën e forcimit të mëtejshëm të bashkëpunimit në fushën ekonomike dhe rritjes së investimeve turke në Shqipëri.

“Përvoja e bashkëpunimit si dy vende aleate në NATO dhe partneriteti strategjik midis Shqipërisë dhe Turqisë mbeten një platformë e rëndësishme e përpjekjeve të përbashkëta për sigurinë dhe paqen”, është shprehur presidenti i Shqipërisë.

Gjithashtu theksohet se presidenti Meta e falënderoi kryeparlamentarin Şentop për solidaritetin dhe ndihmën e menjëhershme të dhënë nga autoritetet turke pas tërmetit të 26 nëntorit 2019, si dhe për angazhimin e Turqisë dhe të presidentit Recep Tayyip Erdoğan për ndërtimin e apartamenteve të banimit për të prekurit nga tërmeti në zonën e Kurbinit, si dhe për ndërtimin e Spitalit të Fierit.

Kryeparlamentari turk në ditën e parë të vizitës u takua edhe me kryetarin e Kuvendit të Shqipërisë, Gramoz Ruçi dhe pritet të takohet edhe me kryeministrin Edi Rama.

Kategoritë
LajmeRajoni