Parlamenti danez u kërkon ligjvënësve të fshijnë aplikacionin ‘TikTok’ për shkak të frikës nga spiunazhi

Aplikacioni ‘TikTok’ është në pronësi të kompanisë kineze ‘ByteDance’, e dyshuar nga autoritetet perëndimore se ia ka kaluar të dhënat e përdoruesve qeverisë kineze

Parlamenti i Danimarkës ka kërkuar nga ligjvënësit të fshijnë aplikacionin ‘TikTok’ nga pajisjet e tyre të punës, si celularët, tabletat dhe kompjuterët, për shkak të shqetësimeve të sigurisë, transmeton Anadolu.

Një njoftimin nga parlamenti theksohet se thirrja bazohet në rekomandimet e Qendrës për Sigurinë Kibernetike (CFCS).

“Kur CFCS-ja vlerëson se ekziston rreziku i spiunazhit duke përdorur ‘TikTok’-un, atëherë ne i përmbahemi kësaj. Në këtë mënyrë ne ndjekim linjën që qendra ka vendosur në lidhje me institucionet shtetërore. Parlamenti danez vlerëson vlerësimet që vijnë nga autoritetet e sigurisë”, tha kryeparlamentari Soren Gade.

Në njoftimin për media thuhet se të gjithë anëtarëve dhe punonjësve të parlamentit u është dërguar një “rekomandim i fortë” në adresat elektronike për të fshirë aplikacionin ‘TikTok’ nëse e kanë instaluar më parë.

Ndërkohë, edhe Bashkimi Evropian (BE) ka marrë masa për të ndaluar aplikacionin në telefonat zyrtarë të punës.

Aplikacioni ‘TikTok’ është në pronësi të kompanisë kineze ‘ByteDance’, e dyshuar nga autoritetet perëndimore se ia ka kaluar të dhënat e përdoruesve qeverisë kineze. Kompania ka deklaruar se ndalimet mbi të bazohen në një “keqkuptim themelor të strukturës së korporatës”.

Kategoritë
BotaLajme