Ambasadorja norvegjeze në OKB, Mona Juul foli para gazetarëve për procesin e paqes izraelito-palestinez.
Mona Juul, ambasadorja e Norvegjisë në OKB, një vend që mori presidencën e radhës së Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara (KS i OKB-së) për muajin janar, tha se koha po mbaron në procesin e paqes izraelito-palestineze, por nuk është tepër vonë për një zgjidhje.
Këtë deklaratë ambasadorja Juul e bëri në konferencën për shtyp që mbajti në selinë e OKB-së.
Duke vënë në dukje se bota ka ende një agjendë “të zymtë” me probleme të pazgjidhura duke filluar që nga Siria e deri në Jemen, nga Afganistani në Mianmar, ambasadorja e Norvegjisë në OKB tha se ata do të mbeten optimistë dhe nuk do të ndalojnë së ndihmuari për zgjidhjen e problemeve.
Juul u pyet edhe për procesin e Oslos, që vendi i saj Norvegjia ka mirëpritur më parë në zgjidhjen e konfliktit izraelito-palestinez, dhe nëse paqja është e mundur për momentin.
“Koha po ikën, por nuk është vonë. Si unë ashtu edhe shumë vende të tjera besojmë se nuk ka alternativë për zgjidhjen e qëndrueshme me dy shtete”,- u përgjigj ajo.
Ambasadorja Juul u shpreh se çështja izraelito-palestineze është lënë mënjanë për shkak të problemeve të tjera në Lindjen e Mesme dhe tha se kërkohet një përqendrim më i madh në një zgjidhje paqësore me dy shtete.